Ndotja akustike, Policia e Gjirokastrës masa për uljen e nivelit të zhurmave

Rritja e parametrave të qetësisë për qytetarët dhe vizitorët është një nga masat kryesore të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër. Prej disa ditësh, kjo drejtori po ushtron kontrolle në terren dhe po teston matjen e niveleve të zhurmës si në ambiente të hapura, ashtu edhe në ato të mbyllura, me qëllim garantimin e rendit dhe qetësisë publike.
“Aktualisht na ka ardhur në ndihmë edhe një aparat për matjen e zhurmave që do ndihmojë në rritjen e parametrave të qetësisë së qytetarëve”, tha Altin Demiraj, zv/drejtor për sigurinë publike në Gjirokastër.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër do të jetë e rreptë ndaj çdo individi apo biznesi që shkel ligjin. Qetësia publike është prioritet dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje.
“Ne i kemi dërguar bizneseve shkresë zyrtare ku i kemi shpjeguar ligjin dhe sanksionet nëse do ta shkelin. Mund të gjobiten deri në 200 mijë lekë”, theksoi Demiraj.
Zona muzeale e Gjirokastrës mbetet ndër më problematiket sa i përket ndotjes akustike ndër vite. Gjatë sezonit turistik kjo ndotje bëhet edhe më evidente, për shkak të fluksit të lartë të vizitorëve që, përveç vizitës, kërkojnë edhe të argëtohen.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/