E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja në lumin Mat vë në lëvizje institucionet – Në kërkim një 47-vjeçar për djegien e gomave dhe ndotjen e mjedisit

Ndotja e krijuar nga hedhja e inerteve dhe gomave të përdorura, e më pas djegia e tyre në brigjet e lumit Mat, ka vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse në Lezhë. Policia Vendore e Lezhës njoftoi këtë të mërkurë se shërbimet e Komisariatit Kurbin kanë shpallur në kërkim shtetasin Albert Bitraj, 47 vjeç, banues në Milot, i dyshuar për djegien e gomave të automjeteve dhe ndotjen e rëndë të mjedisit.

Ndaj 47-vjeçarit janë ngritur akuzat për “Ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës”, ndërsa vijon puna për kapjen e tij. Prej kohësh, zona pranë Urës së Matit përgjatë superstradës Lezhë–Laç ishte kthyer në një vatër problematike mbetjesh, ku djegia e gomave është bërë praktikë e përsëritur, sidomos gjatë fundjavave.

Tym i dendur, erë e rëndë dhe rrezik për qarkullimin rrugor kanë qenë shqetësimet kryesore të ngritura nga qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve. Vetëm pas publikimit të vazhdueshëm të këtyre rasteve në media ka ardhur edhe ky reagim i policisë.

Po ashtu, janë vënë në lëvizje edhe institucionet mjedisore, të cilat kanë nisur monitorimin e lumit Mat për të ndaluar hedhjen e inerteve dhe pjesëve të automjeteve, pasi tymi i krijuar ka shkaktuar shqetësim serioz për mjedisin dhe shëndetin publik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›