E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndreu për ATSH-në: Investimet në rrugë do të nxisin ofertën turistike në Lezhë

TIRANË, 25 janar/ATSH-Maela Marini/ Me mbi 1,5 milionë turistë gjatë vitit 2024, Lezha po përgatitet të mirëpresë një fluks në rritje vizitorësh gjatë këtij viti, duke shtuar investimet në infrastrukturë e shërbime.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u ndal tek investimet kryesore në infrastrukturën rrugore të parashikuara në buxhetin e vitit 2025, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë ofertën turistike, por pritet të sjellin edhe rritje të punësimit dhe zhvillim të biznesit në Lezhë.

Ndreu theksoi se për vitin 2025 nga bashkia e Lezhës do të financohen 33 rrugë rurale dhe 51 rrugë urbane, duke dëshmuar vëmendjen e shtuar të kësaj bashkie në infrastrukturën rrugore.

Po ashtu, Ndreu informoi se bajpasi i Shëngjinit është në fazën e projektimit, ndërsa janë në ndërtim edhe akset Autostradë-Hidorovor në Tale, Tresh-Autostradë dhe Zejmen- Autostradë.

Për kryebashkiakun e Lezhës të gjitha këto investime kanë ndikim sidomos në turizëm.

“Investimet në infrastrukturën rrugore do të lehtësojnë lëvizjen, zhvillojnë biznesin, rrisin punësimin dhe konsumin, duke ndikuar kështu në rritjen e mirëqenies për komunitetet lokale”, u shpreh Ndreu.

I pyetur mbi impaktin e aksit Shëngjin-Velipojë dhe bajpasit të Shëngjinit në nxitjen e turizmit, Ndreu theksoi se “këto janë akse të domosdoshme që adresojnë problematika të trafikut të rënduar”.

“Po ashtu këto akse aksesojnë zonat turistike, duke sjellë zhvillim për ekonominë lokale”, shtoi ai.

Duke u ndalur te turizmi, Ndreu informoi se në vitin 2024 u regjistruan rreth 1,5 milionë turistë në Lezhë.

Ai vlerësoi punën që po kryhet në drejtim të promovimit të resurseve turistike të Lezhës, e cila po investon po ashtu shumë në mirëmbajtjen e vijës bregdetare.

“Në 2025 mendoj se do vazhdojmë të kemi shtim turistësh. Ka një organizim më të mirë, njohje më të qartë për resurset e Lezhës, promovim më profesional dhe real, bashkëpunim më të fortë me operatorët turistikë, pastërti dhe menaxhim më të dedikuar në turizëm. Nuk kemi pasur probleme të sigurisë në zonat turistike të Lezhës. Mendoj se gjithmonë duhet kujdes, por tashmë ka një përvojë që duhet konsoliduar”, tha Ndreu, ndërsa vlerësoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivele të kënaqshme.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›