E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërohen drejtues të rinj në Kukës, Shkodër dhe Dibër

Policia e Shtetit ka miratuar një sërë lëvizjesh dhe emërimesh në strukturat drejtuese të disa drejtorive vendore dhe komisariateve në vend.

Pas përfundimit të konkurrimit për drejtorë qarqesh, disa drejtues janë emëruar në poste të reja drejtuese në qarqet Kukës, Shkodër dhe Dibër.

Sipas vendimeve të bëra publike:

  • Ardrit Elmazi, pasi u shpall fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
  • Dashamir Spaho, fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
  • Xhevahir Karaj emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
  • Armir Gjikolaj, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Dibër dhe ka paraqitur dorëheqjen, emërohet Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve.

Po ashtu, janë miratuar edhe disa emërime të tjera në nivel drejtuesish dhe shefash komisariatesh.

Kryekomisar Idris Daulle është emëruar Zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Ndërkohë, Kryekomisar Erion Duma merr detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Shkodër, ndërsa Komisar Klodjan Çeka emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

Gjithashtu, Komisar Sokol Myrta është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Mirditë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Këto lëvizje vijnë në kuadër të riorganizimit dhe plotësimit të strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit në disa qarqe të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›