Ndryshime në kabinetin qeveritar, emërohen dy zëvendësministra të rinj në Shëndetësi dhe Punë të Jashtme

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të reja për emërime në nivelin e lartë drejtues të dy ministrive, me propozim të Kryeministrit dhe në mbështetje të kuadrit kushtetues e ligjor për organizimin dhe funksionimin e ekzekutivit.
Lëvizjet e reja prekin dikasterin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe atë të Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Emërimet e reja në dikastere
Përmes vendimit të parë të miratuar nga Këshilli i Ministrave, është zyrtarizuar plotësimi i kabinetit drejtues në sektorin e shëndetësisë:
“Znj. Anila Rexha emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.”
Ky akt zyrtar është nënshkruar në mungesë dhe me porosi të Kryeministrit Edi Rama nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
Paralelisht, me vendim të dytë të ekzekutivit, është bërë emërimi i ri në dikasterin e diplomacisë shqiptare:
“Z. Kevin Bufi emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.”
Të dyja vendimet e miratuara hyjnë në fuqi menjëherë dhe do të botohen sipas procedurës zyrtare në “Fletoren Zyrtare”.
/rtsh.al/