E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndryshime në ligjin “Për strehimin social”, Ibrahimaj: Synojmë mbështetjen e 6 mijë familjeve për strehim social!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paraqiti të hënën në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”. Zonja Ibrahimaj bëri të ditur se ndryshimet ndër të tjera sigurojnë zgjerimin e përfituesve edhe me kategorinë e të punësuarve në administratën publike, të rinjtë dhe familjet e reja.

Sipas saj, krahas masave që qeveria po ndërmerr për rritjen e pagave, programi politik qeverisës 2021-2025 synon të adresojë nevojën e familjeve të reja për strehim dhe krijimin e më shumë mundësive dhe siguri për të rinjtë në krijimin e familjes dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre.

“Ndryshimet propozojnë riformulimin e kategorisë “çift i ri” në “familje të reja” (shpeshherë është keqinterpretuar se çifti i ri nuk përfshin fëmijët) si edhe ndryshimin e kufirit moshor, duke qenë se familjet e reja po krijohen gjithnjë e më shumë në një moshë më të madhe se më parë” sojegoi ministrja Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se ndryshimet ligjore propozojnë shtimin e një kapitulli të ri që adreson mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e punësuarve të administratës publike.

“Programi i kreditimit të lehtësuar është nga programet më të kërkuara nga qytetarët. Në vitin 2013 ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej mbi 300 milionë lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihapëm përsëri programin duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar 1 150 familje dhe janë në proces edhe 1 500 familje të tjera, por procesi është ngadalësuar për shkak të vështirësive në gjetjen e banesave me çmime të përballueshme në treg”, tha ministrja Ibrahimaj.

Një tjetër risi që sjell ligji i ri është digjitalizimi i plotë i sistemit të strehimit.

“Digjitalizimi i sistemit të strehimit mbart disa avantazhe si për qytetarët ashtu edhe për administratën vendore e qendrore. Për qytetarët bëhet më i thjeshtë procesi i aplikimit për strehim dhe më transparent procedura e përzgjedhjes. Lidhur me sistemin e digjitalizimit të strehimit, ligji ka pësuar disa ndërhyrje, të cilat mundësojnë: nxjerrjen e një akti nën ligjor që do të përcaktojë procedurën e paraqitjes së kërkesës online dhe rolet e përdoruesve, si edhe procedurën e miratimit, duke e bërë të gjithë procesin transparent; ngritjen online të data-bazës së strehimit për Republikën e Shqipërisë” tha ministrja Ibrahimaj.

Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë ndërhyrje që mbështesin shtresat më në nevojë dhe që vinë në kuadër të kërkesave të ngritura nga individë, familje apo dhe përfaqësues të shoqatave.

Nga viti 2014 deri më 2020 fondet, në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar.
Janë shpërndarë rreth 3.3 miliardë lekë, për strehimin e 12 750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara. 

Gjatë mandatit të tretë, përfshi edhe vitin 2023, janë shpërndarë rreth 2 miliard lekë dhe janë planifikuar të shpërndahen 2.4 miliardë lekë të tjera deri në vitin 2025, për strehimin e rreth 13 900 familjeve.

“Sfidat tona të përcaktuara në këto ndryshime ligjore për të shtuar numrin e përfituesve nga program i kreditimit të lehtësuar me nga 2 000 përfitues çdo vit në tre vitet e para i kushtojnë buxhetit të shtetit përkatësisht 228 milionë lekë vitin e parë, 434 milionë lekë vitin e dytë dhe 584 milionë lekë vitin e tretë për gjithsej 6 000 familje”, deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›