E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshime në ligjin për investimet e huaja, mazhoranca propozon kontroll shtetëror për sektorët kritikë

Me synimin për të shtuar mekanizmat e kontrollit për investimet e huaja që lidhen me sektorë strategjikë dhe të ndjeshëm për vendin, deputeti Eduard Shalsi ka propozuar ndryshime në ligj. 

Deputeti socialist kërkon të shtohet një paragraf në nenin 10 të ligjit, sipas të cilit investimet e huaja direkte, që lidhen apo ndikojnë mbi infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacionin sensitiv ose mbi lirinë e medias, mund t’i nënshtrohen një vlerësimi apo ekzaminimi.

Sipas z. Shalsi, duhet që këto investime t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi të posaçëm sipas rregullave të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Një praktikë e tillë është e zbatueshme edhe në vende të Bashkimit Europian, pasi fushat ku kërkohet kontrolli i investimeve të huaja janë strategjike dhe thelbësore për sigurinë publike.

Ndërkohë, një vit më parë deputeti Shalsi kërkoi të shtyhej afati i ligjit të investimeve strategjike, ligj i cili do të hartohet në bashkëpunim me asistencë të partnerëve ndërkombëtarë si Banka Botërore.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›