E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime në ligjin për objektet e konfiskuara, procedura të reja për administrimin dhe legalizimin

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Ndryshimet e miratuara nga qeveria në ligjin “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” pritet të sjellin një model të ri duke synuar t’i jepet zgjidhje shumë problematikave.

Në vendimin e miratuar dje në mbledhjen e qeverisë parashikohet krijimi i një “fondi të veçantë të dedikuar për ndërtimet pa leje”, i cili do të përdoret për zhvillimin e objekteve pa leje, që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

AASPK do të veprojë gjithashtu si përfaqësuese e pronarit shtet pranë institucioneve përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, për kryerjen e procedurave që lidhen me objektet e konfiskuara.

Në rastet kur një objekt i konfiskuar do të propozohet për shitje, AAPSK-ja do t’i përcjellë ministrit përgjegjës për konfiskimet propozimin përkatës, të shoqëruar me relacionin tekniko-financiar. Pas miratimit, agjencia do të zhvillojë ankandin publik dhe procedurat për kalimin e pronësisë te fituesi.

Të ardhurat e përfituara nga shitja e objekteve të konfiskuara apo pjesëve të tyre do të kalojnë në fondin e dedikuar për ndërtimet pa leje.

Ndërkohë, objektet që do të destinohen për përdorim publik do t’u dorëzohen institucioneve apo enteve përkatëse, ndërsa AAPSK-ja do të ushtrojë kontroll dhe monitorim për pasuritë e dhëna në përdorim.

Për një administrim sa më efikas të objekteve të konfiskuara, AAPSK-ja do të angazhojë ekspertë vlerësues të licencuar apo ekspertë të jashtëm. Objekti i konfiskuar, së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor, do të merret në administrim nga agjencia brenda 30 ditëve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për procesin e konfiskimit.

Projektligji parashikon gjithashtu publikimin elektronik të të gjitha akteve dhe vendimeve në faqen zyrtare të AAPSK-së.

Në rast të mospërputhjeve mes dokumentacionit tekniko-ligjor dhe gjendjes faktike të objektit, AAPSK-ja do t’i drejtohet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për rishikimin e dokumentacionit. IKMT-ja, sipas kompetencave, do të vlerësojë konstatimet dhe do t’ia përcjellë çështjen Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) për vendimmarrje.

Një nga dispozitat e reja prek në mënyrë të drejtpërdrejtë objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, ku njësitë individuale ndodhen në posedim ose përdorim të blerësve.

Përjashtimisht, në rastet kur konstatohet se punimet e ndërtimit janë përfunduar në strukturë dhe njësitë posedohen apo përdoren nga palë të treta, porositës ose përfitues që kanë lidhur kontrata noteriale me investitorin apo subjektin zhvillues, objektet do të mund të legalizohen dhe regjistrohen sipas legjislacionit në fuqi.

Për këtë kategori objektesh, AAPSK-ja do t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit.

Ndryshimet synojnë jo vetëm riorganizimin e administrimit të ndërtimeve të konfiskuara, por edhe adresimin e situatës së qytetarëve që kanë blerë njësi në këto objekte, duke krijuar mundësi për zgjidhjen e statusit të tyre të pronësisë në rastet e parashikuara nga ligji.

Ndryshimet në ligjin nr. 66/2023 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara” parashikojnë ngritjen dhe forcimin e rolit të grupit të punës pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), i cili do të ketë një rol kyç në vlerësimin dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të objekteve të konfiskuara.

Grupi i punës do të vlerësojë objektet e konfiskuara dhe proceset e zhvillimit të tyre, duke përcaktuar masat që synojnë zbutjen e pasojave të krijuara nga konfiskimi për interes publik i ndërtimeve pa leje.

Një nga detyrat kryesore të këtij grupi do të jetë edhe evidentimi i të drejtave të pronarëve të truallit, bazuar në kontratat noteriale të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.

Gjithashtu, grupi i punës do të konstatojë, në mënyrë proporcionale, detyrimet financiare të paguara nga persona të tretë për njësitë në këto objekte, në rastet kur pagesat janë kryer përmes sistemit bankar dhe mbështeten në kontrata noteriale të regjistruara sipas legjislacionit.

Në fokus të punës së grupit do të jetë edhe përcaktimi i mënyrës së administrimit dhe shfrytëzimit të objekteve të konfiskuara apo pjesëve të tyre.

Për vlerësimin e situatës, grupi i punës do të ketë të drejtë të marrë informacion nga një sërë institucionesh publike, përfshirë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, Ministrinë e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Noterisë, bankat e nivelit të dytë dhe institucione të tjera.

Pas vlerësimit rast pas rasti të gjendjes së objekteve, grupi do të propozojë kalimin e tyre në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm, dhënie me qira apo në pronësi të institucioneve dhe enteve publike.

Grupi i punës do të vlerësojë gjithashtu mundësitë për përfundimin apo përshtatjen e objekteve të konfiskuara dhe do të propozojë formën e zhvillimit që i shërben më mirë interesit publik dhe social.

Një tjetër kompetencë lidhet me përdorimin e fondit të dedikuar për ndërtimet pa leje, për të cilin grupi i punës do t’i propozojë drejtuesit të AAPSK-së mënyrën dhe masën e përdorimit të tij.

Për vlerësimin teknik dhe financiar të objekteve, AAPSK-ja do të mund të angazhojë ekspertë të fushës, ndërsa raportet e tyre do të shërbejnë si bazë për vlerësimin e grupit të punës. Shpenzimet për ekspertizën do të mbulohen nga fondi i dedikuar për ndërtimet pa leje.

Projektligji parashikon gjithashtu publikimin në faqen zyrtare të AAPSK-së të informacionit mbi statusin juridik të truallit ku janë ngritur objektet e konfiskuara, në rastet kur nuk rezulton një pronar i identifikuar.

Grupi i punës do të përbëhet nga një numër tek anëtarësh, të përcaktuar me urdhër të drejtuesit të AAPSK-së, ndërsa rregullat e detajuara për organizimin dhe funksionimin e tij do të përcaktohen me rregullore të brendshme të institucionit.

Qeveria ka propozuar gjithashtu ndryshime të rëndësishme në procedurat e administrimit të objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, duke përcaktuar mekanizmat për pajisjen e tyre me leje ndërtimi, certifikata përdorimi dhe regjistrimin në Kadastër.

Sipas projektligjit për ndryshime në ligjin nr. 66/2023, pas vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) për konfiskimin e një objekti, organi përgjegjës për administrimin e tij do të mund të nisë procedurat për përshtatjen e dokumentacionit me projektin e zbatuar dhe destinacionin e ri të ndërtesës.

Për objektet e përfunduara plotësisht, të cilat nuk kërkojnë punime të tjera, do të mundësohet aplikimi i drejtpërdrejtë për pajisjen me certifikatë përdorimi. Kërkesa do të shoqërohet me një relacion teknik nga subjektet e licencuara për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve, që do të vërtetojnë përfundimin e objektit dhe gatishmërinë e tij për shfrytëzim.

Ndërsa për objektet e papërfunduara, që kërkojnë ndërhyrje apo punime shtesë, parashikohet procedura për ndryshimin e lejes së ndërtimit, bazuar në një projekt të ri zhvillimi.

Në këto raste, vendimmarrja për ndryshimin e lejes do t’i takojë KKTU-së, ndërsa pas miratimit do të vijojë procedura për lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit.

Projektligji parashikon gjithashtu procedura të përshpejtuara për miratimin e lejeve të ndërtimit për objektet e konfiskuara.

AAPSK-ja do të duhet të depozitojë kërkesën përkatëse pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të konfiskimit.

Leja e ndërtimit e miratuar do t’i përcillet menjëherë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrim.

Edhe procedura për pajisjen me certifikatë përdorimi do të kryhet përmes sistemit elektronik e-leje. Pas shqyrtimit të kërkesës, AZHT-ja, në cilësinë e sekretariatit teknik të KKTU-së, do të procedojë me lëshimin e certifikatës, e cila më pas do të regjistrohet në regjistrat kadastralë.

Një tjetër ndryshim lidhet me lehtësitë fiskale për AAPSK-në. Agjencia do të përjashtohet nga tarifat e aplikimit për lejet e ndërtimit dhe certifikatat e përdorimit, si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Ndërkohë, projektligji përcakton se vlera e policës së sigurimit do t’i ngarkohet përfituesit ose pronarit fundor që do të fitojë të drejta mbi objektin, sipas formës së përcaktuar për administrimin apo zhvillimin e tij.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu kalimin pranë AAPSK-së të të gjitha dosjeve, materialeve dhe dokumentacionit që deri tani janë administruar nga institucionet përgjegjëse, përfshirë fondin e konfiskimit të krijuar në zbatim të ligjit nr. 66/2023. Transferimi i tyre duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Një dispozitë e veçantë u njeh të drejtën e parablerjes subjekteve që deklarojnë vullnetarisht objektet e ndërtuara pa leje pranë organit kompetent, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Gjithashtu, objektet e konfiskuara përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja do të trajtohen nga AAPSK-ja sipas procedurave të përcaktuara në ligjin e ri, duke respektuar të drejtat e parablerjes të lindura sipas legjislacionit të mëparshëm.

Për rastet kur procedura e ushtrimit të së drejtës së parablerjes ka përfunduar dhe është lidhur marrëveshja përkatëse me institucionet përgjegjëse, përfituesit do të mund të vijojnë procedurat për pajisjen me leje ndërtimi ose certifikatë përdorimi.

Këshilli i Ministrave do të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e ndryshimeve brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.66/2023, për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje” është propozuar nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›