Rama: Trefishohen hapësirat në shkollën “Ibrahim Hima” në Prush, kushte bashkëkohore për 180 nxënës

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Shkolla e re “Ibrahim Hima” në fshatin Prush të Tiranës ofron tashmë kushte dinjitoze për nxënësit dhe stafin mësimor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shkolla e re, e cila është e pajisur me laboratorë dhe palestër sipas standardeve më të mira.
Rama bëri të ditur se shkolla “Ibrahim Hima” është rindërtuar nga e para, me hapësira të trefishuara dhe ambiente të reja për nxënësit dhe stafin mësimor, duke sjellë një tjetër standard për jetën e shkollës.
“Nga ky shtator, 180 nxënës dhe mësuesit e tyre do të kenë në dispozicion një shkollë më të madhe, më funksionale dhe me kushte bashkëkohore për mësim dhe aktivitete sportive”, u shpreh kryeministri Rama.
E rilindur me hapësira të reja arsimore, klasa moderne, ambiente të ngrohta, ky investim iu siguron nxënësve të mësojnë në një mjedis dinjitoz.
Në Tiranë janë ndërtuar dhe vënë në funksionim 45 shkolla të reja, ndërsa 10 të tjera janë në proces.
Këto investime janë pjesë e një plani afatgjatë për plotësimin e insfrastrukturës arsimore sipas standardeve bashkëkohore në të gjithë kryeqytetin.
1 nga 16/m.m/a.f/