Ndryshimet e Alibeajt, kundërshti nga gjyqtarët
TIRANË- Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj pas debateve të shumta të cenimit të pavarësisë së organit të prokurorisë me përpilimin e projektligjit të ri mbi funksionimin e organit të akuzës i kthehet sërish debateve në gjyqësor, duke bërë ndryshimin e strukturës në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Kështu, përkundër kërkesave të shumta të kancelarit të kësaj gjykate dhe kryetarit të togave të zeza në çdo analizë vjetore për shtim të stafit ministri Alibeaj vetëm pak ditë më parë, konkretisht më datë 22 gusht të këtij viti kur thuajse i gjithë personeli i kësaj gjykate ishte me pushime, ka lëshuar urdhrin e radhës në drejtim të kësaj gjykate. Urdhër ky i ardhur pas atyre urdhrit të mëparshëm që sollën jo pak debate në media mbi “spiunimin” e gjyqtarëve nga sekretarët gjatë orëve të punës. Sipas urdhrit të firmosur nga vetë ministri Alibeaj, ka të bëjë me ndryshimin e strukturës së personelit të kësaj gjykate, duke suprimuar pesë vende të punës vetëm pak muaj pas shkrirjes edhe të dy vendeve të tjera. Kështu, sipas urdhrit që mban datë 22 gusht dhe me nr. portokolli 5895, të firmosur nga vetë Alibeaj ndryshon struktura ekzistuese, duke liruar nga detyra zëdhënësen me publikun dhe median, ekonomistët e këtij institucioni, dy rojet e vetme të sigurisë së gjykatës dhe inspektorin e personelit pranë kësaj gjykate. Gjithashtu, duke iu referuar këtij urdhri parashikohet dhe një ndarje e re e punës në këtë gjykatë, pas kalimit të 15 gjyqtarëve penalist në ndërtesën ku ndodhet tani Gjykata e Krimeve të Rënda. Kështu sipas urdhrit të firmosur nga ministri Alibeaj dhe që ka hyrë në fuqi menjëherë, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet me volumin më të madh të çështjeve në vit nuk ka nevoj për zëdhënës shtypi pasi kjo gjykata ka faqen zyrtare të internetit, nuk ka nevoj për roje të sigurisë pasi kjo punë kryehet nga punonjësit e policisë, nuk ka nevojë ekonomisë pasi pagat personeli i merr në bankë, gjithashtu kjo gjykatë sipas ministrit nuk ka nevojë për inspektor të personelit pasi puna do të kontrollohet nga vetë inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë. Ky urdhër që tashmë ka hy në fuqi edhe pse sipas legjislacionit të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të lajmëroi punonjësin 15 ditë më parë që vendi i tij do të suprimohet që në këtë rast nuk ka asnjë paralajmërim, është kundërshtuar ashpër nga punonjësit e kësaj gjykate, duke e cilësuar si “urdhri i çuditshëm i radhës” nga vetë dora e Ministrit Alibeaj. Ndërkaq, është kjo gjykatë që vetëm për 7 mujorin e parë të këtij viti ka kontribuar në buxhetin e shtetit me 100 milion lek të reja, të ardhura këto të siguruara nga shumë çështje civile që janë fituara nga përqindjet e pagesave dhe shpenzimet gjyqësore. “Në një gjykatë që ku ka volumin më të madh të punës se në të gjitha gjykata tjera, ku ka nevojë dhe është kërkuar gjithmonë personel pune, ministri Alibeaj nxjerr urdhra që janë non-sens”,-tha njëri nga gjyqtarët e kësaj gjykate që dëshiroi të mbetet anonim. Gjithashtu mësohet se vetëm gjatë kohës së pushimeve, të muajt gusht në këtë gjykatë janë depozituar rreth 400 çështje civile e penale që presin të hidhen në short elektronik për zgjidhjen e tyre.