E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet e ligjit për tre ciklet e pranimit

29/04/2010 Qeveria aprovon ndryshimet e përcaktuara në draftin e ri

Studimet e larta

Thjeshtëzimi i organizimit të studimeve do të pasohet me ndryshimin e llojit të diplomave të lëshuara

Reformimi i arsimit të lartë në vend do të pasohet me ndryshimin rrënjësor të organizimit të cikleve të studimit. Në draftin e ri ligjor përcaktohen ndryshime të shumta, që kanë të bëjnë me riorganizimin e studimeve të larta, veçanërisht ato “master”, të cilat do të jenë në mbështetje të plotë me zbatimin e kartës së Bolonjës. Ky draft parashikon thjeshtëzimin e organizimit të këtyre studimeve në tri cikle. Në ciklin e parë të studimeve do të jepen njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike për një kategori të caktuar profesionesh apo specialitetesh. Për marrjen e këtij cikli studentit do ti duhet të grumbullojë 180 kredite për një kohëzgjatje të paktën 3-vjeçare. Ndërkohë në përfundim të programeve të studimeve do të lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer dhe jo diplomë e nivelit të parë, sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara. Me marrjen e kësaj diplome studenti do ti nënshtrohet programeve të ciklit të dytë të studimeve. Këto të fundit do tu sigurojnë të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti. Kohëzgjatja e këtyre studimeve do të jetë për një periudhë dyvjeçare dhe në total do të kërkohen 120 kredite të fituara nga studenti. Në përfundim të tyre do të lëshohet një diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer dhe jo diplomë e nivelit të dytë. Për një kategori të caktuar institucionesh të arsimit të lartë, siç janë ato në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe arkitekturës, do të ofrohen programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku. Për zotërimin e këtyre programeve aplikuesit brenda një harku kohor prej pesë vjetësh duhet të grumbullojnë rreth 300 kredite dhe në përfundim të studimeve do të pajisen me diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën përkatëse. Drafti i ri ligjor, i cili pritet të shpjegohet gjatë ditës së sotme në mënyrë më të detajuar nga vetë kreu i Ministrisë së Arsimit parashikon ndryshime rrënjësore në realizimin e studimeve “master”. Sipas përcaktimeve të bëra, zhvillimi i programeve të studimeve “master” do të pasohet me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Realizimi i këtyre studimeve do të zgjasë për të paktën një vit, në të cilin kërkohen rreth 60 kredite. Megjithatë, pas marrjes së kësaj diplome vetë institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen apo transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë. Përveç të tjerave në pranimet për ciklin e tretë të studimeve, që ka të bëjë me sistemin e doktoraturave, është vendosur kushti që të pranohen vetëm ata kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. Kohëzgjatja e studimeve për ciklin e doktoraturës do të jetë për të paktën tre vjet dhe për marrjen e dëshmisë njohëse aplikuesi duhet të grumbullojë minimumi 40 deri në 60 kredite.

Realizimi i reformave në arsimi

Përveç studimeve ndryshime edhe në sektorin e financimit

Ndryshimet e ligjit për arsimin e lartë në vend janë konfirmuar edhe gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ku kryeministri Sali Berisha ka pohuar se këto ndryshime ishin të domosdoshme për të shmangur problemet e lindura në ciklet e studimeve të lindura nga aplikimi i sistemit të Bolonjës. Po ashtu është premtuar se do të vijojë zbatimi i ploitikës për shtimin e vazhdueshem të drejtave të studimit në sektorin publik por këto të kontrolluara sipas nevojave të tregut të punës, dhe degëve nëtë cilat ka mungesa të profesionistëve. Kjo në mënyrë të tillë që diplomat e lëshuara nga arsimi i lartë të marrin vlerësimin përkatës. Duke folur për këtë projektligj, Kryeministri theksoi se këto ndryshime kanë si qëllim kryesor ti përgjigjen stadit, në të cilin ka arritur sot arsimi i lartë. Sipas tij përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësore të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “bachelor”,gjatë tre viteve të para të studimit. Berisha u ka kërkuar bashkëpunimin e gjuhëtarëve për të gjetur një term përgjegjës në gjuhën shqipe për klasifikimin e këtij sistemi. Po ashtu do të vendoset edhe sistemi master i dyllojshëm, master i shkencës, master i profesionit. Kryeministri shpjegoi se sistemi i masterit do tu japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar. “Zoti i ministër i arsimit. Sapo takuam studentët dhe ajo çka më bëri përshtypje në këtë takim, ishte se kur u thashë studentëve se me këto ndryshime, ndër të tjera ju do të keni mundësi të ndiqni edhe pasionet tuaja pashë se reagimi tyre ishte më i shkëlqyeri, pra këtu tek master, le të shohim mundësinë e dhënies së një shansi të dytë , mbi bazën e meritës, nuk them të cenojmë aspak tek merita , por mendoj se një “bachelor”, për ekonomi, mund të drejtohet për një master në drejtësi, duke plotësuar ato kredite që i nevojiten.” Gjithashtu i është kërkuar kreut të MASH që në nsije të vitit të ri akademik të zbatohet edhe sistemi i ri i financimit të universiteteve. Duke vlerësuar përmirësimet e bëra në drejtim të menaxhimit të fakulteteve dhe universiteteve, Kryeministri theksoi se është i domosdoshëm një sistem i ri i rinormimit të punës së tyre si dhe përmirësim i raportit

studentë/pedagogë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›