E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në K. Penal, përfitojnë 100 të dunuar

Ndryshimet në Kodin Penal që kanë hyrë në fuqi më 15 janar 2009, sjellin lehtësira për një kategori të caktuar të të burgosurve. Gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë mund të qëndrojnë në shtëpi. 

TIRANE- Më shumë se 1000 të dënuar përfitojnë nga ndryshimet e reja në Kodin Penal. Por edhe pse Kodi ka hyrë në fuqi që prej datës 15 janar 2009, ende asnjë i dënuar nuk ka mundur të “shijojë” lehtësirat e krijuara.

Ligji nr.10023 datë 27.11.2008, u krijon “favore” të gjithë të dënuarve deri me 2 vjet burgim për vepra penale të ndryshme, ose që u kanë ngelur pa vuajtur edhe 2 vjet burgim. Gjithashtu nga ky ligj përfitojnë edhe të dënuarit me deri në 1 vit burgim, sikurse parashikohet në nenin 58 të këtij ligji që ka të bëjë me gjysmëlirinë. Neni 59/a i ligjit parashikon se “për dënimet me burgim deri në 2 vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrim në shtëpi të të dënuarit, në një shtëpi private”.

Avokati Sajmir Visha saktëson për “Gazeta Shqiptare” se kjo dispozitë futet për herë të parë në ligjin material penal dhe ka të bëjë me qëndrimin në shtëpi për një kategori të dënuarish si; gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë deri në 10 vjeç, baballarët që kanë nën kujdes prindërit të paaftë për punë, si në gjendje të rëndë shëndetësore ashtu edhe ekonomike, për personat mbi 60 vjeç, për të rinjtë nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës si dhe për ata persona që kërkojnë një kujdes shëndetësor jashtë burgut.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›