E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kodin Penal, Hoxha: Shqipëria “delja e zezë” për të paraburgosurit

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, tha sot se ndryshimet e propozuara për Kodin e Procedurës Penale, vijnë si rezultat i problematikave të evidentuara gjatë zbatimit të kodit aktual, por edhe në kuadër të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe nevojës për përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Zëvendësministrja Hoxha tha në një intervistë për Report Tv, se synimi i këtyre ndryshimeve është i qartë “vendosja e një ekuilibri midis luftës kundër kriminalitetit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë proceseve penale”.

Hoxha thekson se një sërë raportesh ndërkombëtare e cilësojnë Shqipërinë si “delja e zezë” për sa i përket paraburgimit.

“Aktualisht që flasim janë rreth 2300-2500 të paraburgosur, të cilët vuajnë dënimin pa një vendim të formës së prerë. Ata vuajnë dënimin dhe ende nuk e dinë nëse do të shpallen fajtorë nga gjykata ose jo”, u shpreh zëvendësministrja.

Sipas Hoxhës, qëllimi i ndryshimeve të 105 neneve të Kodit të Procedurës Penale është vendosja e një ekuilibri midis luftës kundër kriminalitetit me mjete më të forta, kontrollit më të shtuar përmes gjykatës dhe garantimit të të drejtave themelore të njeriut.

“Ndryshimi kryesor që sjell Kodi i Procedurës Penale në këtë fazë që ne propozojmë është që privimi i lirisë, apo masa e “arrestit me burg” të jetë masa e fundit që propozohet nga gjykata. Sepse jemi në kushtet që paraburgimi është plotë”, deklaroi Hoxha.

Ajo nënvizoi se nevojitet një qasje e re ndaj drejtësisë, ku krahas vendimit gjyqësor të merret në konsideratë edhe dimensioni social i tij.

“Jemi në kushtet kur duhet të besojmë dhe të jemi me kulturën që duhet të kemi si qytetarë, si institucione të drejtësisë, që drejtësia nuk është vetëm dhënia e një vendimi, por ka edhe pjesën sociale brenda, edhe pjesën empatike, edhe pjesën e riintegrimit dhe rehabilitimit”, tha ajo.

Sipas zëvendësministres, që nga viti 1995, Kodit të Procedurës Penale po i rishikohet për herë të parë legjitimiteti i dhënies së fajësisë.

“Kemi 2 pragje që vendosen. Masa shtrënguese për vepra që dënohen deri në 3 vite dhe arresti me burg nuk mund të jepet për vepra që dënohen deri në 5 vite”, tha ajo.

Ndryshimet janë ende në fazën e konsultimeve dhe nuk kanë kaluar në procesin e miratimit.

“Në vijim do të ketë edhe tryeza të dedikuara, me pjesëmarrjen edhe të Ministrisë së Drejtësisë, edhe të sekretariatit teknik. Ky është një proces që vazhdon. Është thjesht në kuadrin e propozimeve, ende nuk kemi arritur në fazën e miratimit”, u shpreh ajo.

Hoxha bëri të ditur se pas përfundimit të konsultimeve, propozimet do t’i nënshtrohen shqyrtimit në komisionet parlamentare, ku mund të paraqiten komente dhe sugjerime të tjera.

“Pas përfundimit të konsultimeve do t’i nënshtrohet komisioneve parlamentare, që dhe aty mund të ketë komente dhe sugjerime të tjera. Deri në datën 28 tetor presim komente nga grupet e interesit. Më pas kalojmë te komisionet parlamentare, por që edhe aty mund të ketë elementë të tjerë shtesë”, njoftoi Hoxha.

Zëvendësministrja e Drejtësisë e lidhi ndryshimin e Kodit edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Tani ishte koha, në kilometrin e fundit drejt BE-së, do të duhen që disa nga ligjet tona të jenë në përputhje edhe me direktivat e BE-së. Do të duhet që gjatë 2027-ës ne do të duhet të jemi në vrap pune për të përafruar të gjitha ligjet me BE-në”, përfundoi zëvendësministrja Hoxha.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›