Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha: Berisha i dorëzon Ramës mandatin e 4-t

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit, tha sot se me miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ish-kryeministri Sali Berisha i dorëzon kryeministrit Edi Rama mandatin e katërt.
Basha tha se kjo marrëveshje, fakton se Rithemelimi dhe Partia Socialiste janë një parti. “Tani ustallarët e pazarit të djeshëm dhe të sotëm, kanë bërë diçka tjetër. E kanë ndarë listën në dy klasa, business class për veten e tyre dhe karrocë për të tjerët. Në business class do të thotë që futen kandidatë të cilët i vendos kryetari i partisë dhe të cilët nuk kanë nevojë për votim, nuk votohen. Që do të thotë nëse një kandidat në pjesën tjetër të listës që është e hapur votohet dhe merr 5 mijë, 15 mijë, 20 mijë, 100 mijë vota, por lista e partisë së tij nuk arrin përtej listës së mbyllur, ai mbetet jashtë parlamentit, ajo mbetet jashtë parlamentit. Dhe në parlament hyjnë kamikazët e kryetarit”, deklaroi Basha.
Basha tha se arsyet që çuan në këtë marrëveshje është frika. “Frika në radhë të parë e kryeministrit. Frika e kryeministrit i cili në momentin që flasim ka disa çështje të hapura nën hetim penal. Pala tjetër i është nënshtruar tekave të një njeriu që hallin e vet personal e bëri hallin e Partisë Demokratike, të opozitës dhe të gjithë Shqipërisë. I është nënshtruar tekave të një njeriu që për hallin e tij personal bëri pazarin me Edi Ramën, provat e të cilit i pamë njëri pas tjetrit dhe kjo është prova e fundit. Pazar, pasojat e të cilit shqiptarët dhe demokratët i shohin. I panë më 14 maj 2023 kur i dorëzoi 90% të bashkive Edi Ramës. 90% të bashkive, Shkodrën, Tropojën, Kukësin, u kap Safeti e humbi edhe më thellë Kukësin. Në anën tjetër janë ata që fillimisht për interesat dhe tekat e një njeriu i ranë me shkelm interesave të demokratëve që përfaqësonin dhe një pjesë tjetër që ushqen iluzionin e mjerë se mundet që ditën mund të jenë me Saliun dhe natën me SPAK-un, e prap se prap të jenë në listën e sigurtë të Saliut”, tha Basha.
“Është e qartë për këdo që ka sadopak përvojë politike që me formulën e dakordësuar dje dhe që pritet të votohet sot nga pazarxhinjtë, pushteti i dorëzohet edhe për 4 vitet e ardhshme Edi Ramës. Në këmbim të favoreve të përbashkëta. Në këmbim të investimit më të madh që ka nisur dhe duan të bëjnë së bashku. Në këmbim të goditjes me çdo kusht dhe me çdo mjet të shkaktarit të frikës që është pandëshkueshmëria, të instrumentit të pandëshkueshmërisë që është SPAK”, tha Basha.
/r.e/