Ndryshimet në Onkologjik, Ministrja Sala: Shërbimi në këtë spital, përparësia ime

E deklaruar tashmë si sfidë e saj personale, Spitali Onkologjik po i nënshtrohet ndryshimeve të para. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pasi mori detyrën, preku nga afër ambientet e këtij spitali, ku takoi pacientë dhe mjekë. Urgjenca e parë ishte procesi i kimios, një nga më sfilitëset për pacientët, i cili merrej nëpër karrige në mënyrë aspak dinjitoze. Pas hapjes së dy sallave të dedikuara me 30 poltronët e parë të posaçëm, ministrja ka përcjellë një mesazh informues për pacientët dhe një vlerësim për stafin.
“Sot ndodhem sërish në Shërbimin Onkologjik, në sallat e reja të kimioterapisë, të cilat po i vëmë në funksion për pacientët tanë. Rritja e kapacitetit përmes shtimit të numrit të sallave dhe përmirësimit të kushteve është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, si një hap i rëndësishëm për të ofruar trajtim më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz. Shërbimi që ofrohet këtu prek jetën e shumë familjeve dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme. Çdo pacient që kalon këto korridore vjen me sfida, me shpresë. Dhe është detyrë e jona të krijojmë kushte sa më të mira përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë. Mirënjohje dhe respekt për mjekët, infermierët, farmacistët dhe gjithë stafin shëndetësor, të cilët çdo ditë janë forca që mban në këmbë këtë shërbim jetik!”, tha ministrja.
Buxheti i 2026-ës planifikon për herë të parë edhe rimbursimin e plotë të barnave onkologjike për pacientët që trajtohen në këtë spital, duke rritur fondin me 1.5 miliardë lekë dhe duke krijuar një mbështetje më të plotë për trajtimin.
/rtsh.al/