E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, përplasje për procedurën e përshpejtuar të miratimit të projektligjeve

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka dorëzuar një sërë propozimesh për ndryshimin e Rregullores.

Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku u shqyrtua  projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, “Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Peleshi prezantoi risitë kryesore të amendamenteve si, transkriptimi i plotë i mbledhjeve të komisioneve, kartela “BE” për projektligjet europiane, monitorimi i rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe saktësimi i afateve procedurale, shërbejnë si instrumente konkrete për modernizimin institucional të Kuvendit dhe për forcimin e kapacitetit të tij legjislativ dhe mbikëqyrës.

Një risi është që Këshilli i Legjislacionit jo vetëm zgjeron kategorinë e çështjeve që merr në shqyrtim, por edhe vendos se kur u dërgon rekomandime nismëtarëve.

Këta të fundit janë të detyruar të raportojnë për zbatimin e tyre në komisionin përgjegjës brenda afateve të Gjykatës Kushtetuese ose brenda 6 muajve.

Afati i thirrjes së seancës propozohet të mos jetë 7 ditë përpara, por 2.

Një ndryshim tjetër lidhet sërish me afatin e mbledhjes së komisioneve, pasi tashmë kur një komision të thirret nga ¼ e anëtarëve, kryetari i komisionit përcakton datën dhe orën brenda 5 ditëve.

Procedura e ndryshimit të rendit të ditës saktësohet plotësisht me shumicën e deputetëve të pranishëm për miratim, propozimi paraqitet me shkrim nga jo më pak se 10 deputetë ose nga një kryetar grupi, vetëm para fillimit të seancës ose kur diskutimi është pezulluar.

Shqyrtimi i projektligjeve shtohet shprehimisht në listën e çështjeve që votohen në mënyrë të hapur.

Afatet 10, 30 dhe 60-ditore të sanksioneve disiplinore sqarohen shprehimisht si “ditë kalendarike”.

Projektligjet që synojnë përafrimin me legjislacionin europian duhet të depozitohen në Kuvend të shoqëruara me një kartelë specifike “BE”, e cila hartohet nga propozuesi dhe duhet të përmbajë referencat ndaj acquis të Bashkimit Europian, natyrën dhe shkallën e përafrimit, lidhjen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe elementet e tjerë identifikuese.

Sipas relacionit, ndryshimet synojnë koherencë mes neneve, modernizim të procedurave parlamentare sipas standardeve europiane dhe eliminimin e afateve dhe formulimeve jo praktike.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e përqendro diskutimin vetëm në propozimet që kanë ardhur me shkrim.

“Ju e mbani mend se në 2012-ën, miratimi me konsensus i ndryshimeve në Rregullore ishte një nga tre kushtet e BE-së për statusin e vendit kandidat. Tanimë, fatkeqësisht janë propozuar ndryshime që cenojnë demokracinë parlamentare dhe mbi të gjitha reduktojnë rolin e opozites”, tha ai.

“Ne nuk biem dakord që procesi i përafrimit të legjislacionit të jetë automatik, pa debat e transparencë! Procedura e përshpejtuar është koncept kushtetues, Rregullorja nuk mund të tejkalojë Kushtetutën. Në themel është transparenca dhe shqyrtimi i kujdesshëm. Nuk ka përcaktime që lejojnë përfshirjen automatike të një kategorie ligjesh me procedurë të përshpejtuar”, u shpreh Bardhi.

Peleshi u shpreh se, “Kushtetuta përcakton modalitetet dhe të drejtën se si bëhet një shqyrtim i procedurës së përshpejtuar, por nuk e ndalon atë. Përcakton dhe afatet dhe nga ana tjetër, kjo gjë nuk nënkupton përjashtimin e debatit dhe dëgjesave. Ato janë të detyrueshme”.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla theksoi se, “është e vërtetë se neni 83 përcakton që Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose 1/5 të gjithë deputetëve mund të shqyrtojë ose të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar për më pak se 1 javë nga fillimi, kjo është baza. Edhe Rregullorja kështu e ka në nenin 28. Nëse Kushtetuta nuk ka vendosur kufizime, Rregullorja në pikën 2 ka kufizime. Thotë që projektligjet që janë në kuadër të procesit të integrimit në BE, nuk shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Kushtetuta ta ka përcaktuar cilat nuk bëhen me këtë procedurë, ligji për shtetësinë, për shembull, kodet. Por, Kushtetuta nuk t’i ka përjashtuar ligjet e përafrimit të legjislacionit. Për pasojë ne mendojmë të heqim kufizimin që ka vendosur Kuvendi. Mali i Zi për shembull ka edhe “procedurë urgjente””.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›