E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prezantohen ndryshimet në ligjin për “Arkivat” në Kuvend

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën diskutoi sot në parim në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin për disa ndryshime në ligjin “”Për arkivat”, të ndryshuar”.

Kjo nismë ligjore u prezantua nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, e cila theksoi se “përmes këtij projektligji synohen disa ndryshime, në vijim të gjetjeve nga Raporti i SIGMA-s i kryer në 2025-ën”.

“Shqipëria po kalon reforma gjithëpërfshirëse të qeverisjes si pjesë e procesit të pranimit në BE. Ministria e Kulturës ose ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore për pjesën e rrjetit të arkivave, eksperiencës që kjo ministri ka në strukturën e saj dhe institucionet e varësisë mbi ruajtjen, konservimin, digjitalizimin e arkivave të ndryshme është konsideruar që ky institucion të kalojë në varësi të kësaj ministrie. Ky kalim nuk cenon pjesën e autonomisë institucionale dhe nuk ka efekte të tjera financiare”, u shpreh Pipa.

Relatorja e çështjes, kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, tha se “duke e krahasuar organizimin e arkivave në vende të ndryshme, ka më shumë ngjashmëri, rëndësi dhe karakter juridik të përputhshëm me mënyrën si janë organizuar sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri”.

“Nëse do të zgjidhet sipas raportit të SIGMA-s të jenë institucione, ato duhet të jenë agjenci siç e ka vendosur apo autoritete. Në këtë rast propozoj si relatore që të jetë ose përsëri në varësi të kryeministrit, ose në varësi të Kuvendit të Shqipërisë si institucion me vlera të larta kombëtare me kryqëzim të shumë çështjeve, të shumë ministrive dhe drejtpërdrejt me funksionalizimin e shtetit shqiptar si një vlerë për atë që ne përfaqësojmë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, u shpreh Zhupa.

Mbledhja e komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime të ndryshme në lidhje me projektligjin në fjalë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›