Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, mblidhet grupi i punës
Për herë të parë është mbledhur sot grupi i punës i ngritur për të shqyrtuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Grupi i punës i cili do të merret me refomën parlamentare është i përbërë nga 4 persona ku nga ana e Partisë Demokratike janë Jemin Gjana dhe Viktor Gumi ndërsa nga Partia Socialiste Namik Dokle dhe Ditmir Bushati.
Në fjalën e tij deputeti i PS-së Namik Dokle e quajti këtë një ditë të rëndësishme nga pikëpamja e prakticitetit të punës në Kuvend. “Gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe ndryshuar rregullore, por jeta parlamentare sugjeron ndryshime të tjera. Nga kjo pikëpamje domosdoshmëria e përmirësimit është evidente, ky do i japë impuls punës së grupit, por këtë nuk e konceptojmë si punë e 4 vetëve, por gjithë deputetëve, ekspertë të fushës, për të bërë diçka sa më të mirë”- theksoi Dokle.
Dokle vlerësoi përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të deputetit duke iu referuar praktikës së PE, duke theksuar se nuk është përmirësim nenesh të rregullores, por thellim i mëtejshëm i jetës parlamentare.
"Besoj në gadishmërinë tuaj që të krijohen të gjitha kushte e mundshme. Janë të ftuar të gjithë deputetët të japin mendimet e tyre pasi nuk jemi vetëm ne të cilët vendosim për ndryshimet në rregullore" theksoi Dokle.
Ndërkohë grupi i Punës ushtron veprimtarinë e tij për një periudhë 4-mujore, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet.