E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në statut, paketa u kalon delegatëve

Përfaqësuesit e anëtarësisë në forumin më të lartë vendimmarrës mund të bëjnë vërejtje apo ndonjë sugjerim të fundit


TIRANË - Dy projektet me ndryshimet në Statutin dhe Programin e Partisë Socialiste para se t'i kalojnë për miratim Asamblesë Kombëtare dhe Kongresit do t'i bëhen të njohura paraprakisht edhe një herë të deleguarve të anëtarësisë.


Burime pranë selisë rozë bënë të ditur se po mendohet që paketat e ndryshimeve në dy dokumentet më të rëndësishëm të organizimit dhe funksionimit të kësaj force t'i kalojnë për njohje dhe konsultim në mënyrë paraprake të gjithë delegatëve të Kongresit të secilit qark.


Drejtuesit e partisë në qendër kanë menduar që për të mos eliminuar formalizmin në mbledhjen e Kongresit të datës 18 prill dhe për të mos i vënë delegatët para një fakti të kryer, të bëjnë të mundur që paraprakisht në ditët në vijim të nisë një proces prezantimi i këtyre dy projekteve para delegatëve të secilit qark.


Ky proces mësohet se do të shërbejë gjithashtu që përfaqësuesit e anëtarësisë në forumin më të lartë vendimmarrës të mund të bëjnë edhe vërejtjet apo ndonjë sugjerim të fundit para se drafti të kalojë për miratim në Asamble dhe më pas Kongres.


Ndërmarrja e kësaj nisme prezantuese të këtyre amendimeve pritet që të shtyjë edhe mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila ishte programuar që të mblidhej brenda kësaj jave.


Kështu, mësohet se për shkak të këtij procesi është menduar që mbledhja e Asamblesë të mund të zhvillohet në fund të javës ardhshme, duke parë se në këtë fundjavë bien edhe festat e pashkëve ortodokse dhe katolike.


Vetëm një javë pasi të mblidhet Asambleja, këto dy drafte do të kalojnë për miratim përfundimtar në Kongres, gjatë së cilit gjithashtu pritet të diskutohet edhe për çështjet politike dhe qëndrimin e PS-së karshi institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit.


Ndërsa, për paketën e ndryshimeve në program, informacioni ka qenë i rezervuar, për atë të ndryshimeve statutore mësohet se janë përfshirë një sërë propozimesh që synojnë kryesisht një organizim më efikas të partisë në bazë për ta bërë atë më elastike dhe më të suksesshme në përballimin e sfidave elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›