E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD harron ngritjen e strukturave drejtuese

Dy nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm dhe ata funksionale vazhdojnë të jenë pa mandat


TIRANË - Megjithëse kanë kaluar 5 muaj që nga mbajtja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, strukturat e reja drejtuese duken ende larg për t'u ngritur. Zgjedhjet që nisën brenda PD-së, me rikonfirmimin e kryetarit të kësaj force politike dhe zgjedhjen e 100 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, nuk janë mbyllur akoma duke lënë jashtë axhendës partiake procedurat për zgjedhjen e posteve të tjera në PD.


Sipas burimeve brenda Partisë Demokratike, ende nuk ka një datë të qartë se kur mund të mblidhet ky Këshill, i cili do të bënte të mundur zgjedhjen e nënkryetarëve të partisë, sekretariatit dhe kryesisë së ardhshme.


Duke iu referuar kompetencave të Këshillit Kombëtar, (që parashikohen edhe në statutin e ndryshuar të PD-së), anëtarët e këtij Këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe sekretarët funksionalë, nënkryetarët e partisë, kryetarin e Bordit Financiar të partisë, Komisionin Qendror të Apelimit dhe kryesinë.


Shtyrja e vazhdueshme e mbledhjes së Këshillit Kombëtar ka bërë që nënkryetarët e kësaj partie, sekretari organizativ, sekretari i përgjithshëm dhe postet e tjera, përveç kryetarit të partisë, të mos ushtrojnë sipas procedurave statutore funksionin e tyre në PD.


Krijimi i kësaj situate duket se ka ardhur nga ndryshimet që janë kryer në statutin e kësaj force politike, veçanërisht në heqjen e nenit që përcaktonte kohen ekzakte se kur duhet të mblidhej Këshilli Kombëtar.


Kjo ka bërë që gjithçka të vendoset nga kryetari i Partisë dhe njëkohësisht Kryeministri Sali Berisha, i cili, sipas statutit, ka të drejtën ekskluzive që të thërrasë Këshillin Kombëtar. Ndërkohë, deri më tani, për postet e nënkryetarëve dhe sekretarëve aktuale parashikohet që të ketë një rikonfirmim të tyre.


Në bazë të statutit, Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë 25 anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike midis 35 kandidaturave që do të paraqiten për votim. Ndërkaq, po në statutin e ndryshuar të PD-së parashikohet edhe futja e kriterit të 30 %-it të përfaqësimit të femrave, në strukturat që do të zgjedhë Këshilli, gjë e cila do të aplikohet për herë të parë në këtë parti.


"Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 30% . Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja", - citohet në nenin 37 të statutit të PD-së.


Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së është shtyrë disa herë, duke filluar që nga fillimi i këtij viti. Përmbytjet në Qarkun e Shkodrës, gjatë muajit janar, çuan në shtyrjen e mbledhjes së këtij forumi, duke lënë si periudhë kohore për mbledhjen e tij në fundin e muajit shkurt. Por, edhe ky muaj ashtu si edhe muaji mars nuk shënoi asnjë zhvillim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›