E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ja si do të organizohen protestat

Problematika specifike e çdo zone do të jetë si pikë orientimi për itinerarin e protestave që do të ndjekë PS-ja



TIRANË - Shkodra do të jetë qyteti i parë nga dhe do të nisë vala e re e protestave që do të organizojë Partia Socialiste dhe e gjithë opozita në të gjithë Shqipërinë.


Partia Socialiste ka përcaktuar dje axhendën e manifestimeve qytetare në të gjitha sheshet ku pritet që të protestohet për një sërë problemesh që nga transparenca e munguar e zgjedhjeve të shkuara parlamentare, tek çmimet e rritura apo edhe për vështirësitë ekonomike, me të cilat përballen sot shqiptarët.

Axhenda


Selia rozë ka menduar që të nisë protestën pikërisht nga Shkodra, dhe kjo jo rastësisht, por se ajo është një nga zonat më të goditura nga përmbytjet e këtij viti, pasojat e së cilës nuk janë rikuperuar ende dhe për të cilat PS-ja mendon se ka arsye për të protestuar kundër qeverisë.


Sipas socialistëve, në këtë protestë do të protestohet jo vetëm për përmbytjen, një fatkeqësi që sipas tyre nuk ishte natyrore por njerëzore, por edhe për neglizhencën e qeverisë për t'i ardhur në ndihmë këtyre banorëve për të rivënë pasurinë e shkatërruar, si në toka e të mbjella ashtu edhe në orenditë shtëpiake. Sipas selisë rozë, shuma e lekeve e vënë nga qeveria në dispozicion të këtyre banorëve është qesharake dhe që nuk justifikon demin e shkaktuar.


Do të jenë pikërisht hallet dhe problemet më të mprehta ato që do të orientojnë shpërndarjen e protestës së socialistëve në qytete të ndryshme të vendit.


Për këtë arsye, vala e revoltës do të vijojë në fillim pikërisht në ato qytete apo zona të tjera, ku natyrisht problemet që shqetësojnë sot qytetarët janë edhe më të mëdha. Kështu, është parashikuar që pas Shkodrës manifestimet të vazhdojnë në një sërë qytetesh ku ka probleme të mprehta siç është rasti i Korçës, ku sërish banorët e zonave rurale po vuajnë pasojat e përmbytjeve në Maliq.


Një zonë tjetër që është bërë pjesë e axhendës së protestave është dhe Vlora, ku natyrisht çështja e pronave të Orikumit mbetet ende një nga problemet e pazgjidhura.


Megjithatë, problematika specifike e çdo zone do të jetë vetëm si pikë orientimi për itinerarin e protestave, pasi në to do të protestohet edhe për çmimin e lartë të energjisë, për abuzimin me faturat nga ana e OSSH-së, për zhvleftësimin e lekut dhe mosmarrjen e masave mbrojtëse nga qeveria, për rritjen e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, por pa harruar për asnjë moment edhe të vërtetën që fshihet tek kutitë e votimit që qëndrojnë të mbyllura.


Klosi


Pas takimit koordinues të strategjisë së protestave, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, në një komunikim me mediat ka bërë të ditur se socialistët do të përdorin çdo mjet demokratik për largimin e qeverisë.


Sot, sipas tij, të gjitha familjet shqiptare, vuajnë në kurrizin e tyre keqqeverisjen e një pushteti që nuk është produkt i votës së qytetarëve të Shqipërisë, por produkt i manipulimit, shtrembërimit dhe grabitjes së vullnetit të tyre.


Prandaj ka vijuar më tej Klosi, të gjitha familjet shqiptare duhet t'i bashkohen opozitës në këtë muaj protestash të pandalshme anembanë vendit për t'i treguar qeverisë së Sali Berishës se kupa është mbushur dhe se ai nuk mund të vazhdojë të mbajë peng një popull të tërë për interesat e familjes së tij politike e biologjike.


"Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet në arsenalin e mjeteve demokratike për të larguar Sali Berishën nga pushteti, përpara se kostoja e sundimit të tij ilegjitim të bëhet e papërballueshme për vendin.


Prandaj, sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që të gjithë së bashku t'i japim kësaj qeverie të paaftë, të korruptuar e të papërgjegjshme mesazhin se shqiptarët nuk kanë ndërmend të pranojnë sundimin e Saliut që u ka vjedhur votat e po u mohon transparencën për interesat e ngushta të oborrit të tij", - tha Klosi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›