E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nuk heq kartat, ligjet kalojnë me 70 vota

Opozita nuk e ka praktikuar dje strategjinë e saj të bllokimit të votimit nëpërmjet mospjesëmarrjes së saj në proces, megjithëse mazhoranca nuk kishte votat e duhura për të vijuar e vetme miratimin e ligjeve. Kështu, ndërsa në sallë kanë qenë të pranishëm 129 deputetë, nga këta vetëm 70 kanë qenë të mazhorancës, çka nuk i jepte asaj mundësinë për të votuar e vetme ligjet, në rast se opozita në këtë moment do kishte vendosur të praktikonte të njëjtën metodë që praktikoi dhe disa javë më parë kur hoqi kartat nga aparaturat e votimit, duke bërë të pamundur vijimin e mëtejshëm të procesit. Nga të dy ligjet e miratuara dje, ai “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese” dhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, kanë marrë vetëm nga 70 vota pro dhe më shumë se 50 vota kundër. Po me 70 vota pro Kuvendi votoi për emërimin e Alban Karapicit si anëtar i Këshillit Drejtues të AKEP-it, në vend të Ibsen Elezit. Siç edhe vihet re, mazhoranca kishte në sallë në këtë moment vetëm 70 vota dhe një tërheqje e socialistëve nga procesi i votimit mund të bënte të pamundur miratimin e tyre, pasi nuk arrihej kuorumi i nevojshëm që procesi i votimit të konsiderohej i ligjshëm. Por duket se ky ngurrim i socialistëve për të vënë në jetë këtë strategji ka pasur të bëjë me faktin se shumica qeverisëse mund të gjente votat e duhura brenda një kohe të shkurtër, pasi në ambientet e Kuvendit kishte deputetë të tjerë që mund të vinin në votim po të ishte e nevojshme, siç ishte dhe rasti i vet kryeparlamentares Jozefina Topalli. Ndërkohë që po dje ka dështuar përpjekja e radhës e mazhorancës për të votuar ligjet me 3/5-at, pasi opozita nuk ka pranuar të votojë sërish.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›