Papa Françesku: Kisha do të ecë përpara, vetëm nëse ecën me Kryqin e Krishtit
Papa Françesku kryesoi, dje pasdite, Meshën Shenjte në Kapelën Sikstine, me kardinajtë, që morënn pjesë në Konklav. Ungjilli i Meshës, shkëputur nga Shën Mateu, flet për besojmën e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. E Jezusi i përgjigjet: “I lumi ti, Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi, as gjaku, por Ati im, që është në qiell. E unë po të them: Ti je Pjetër-Shkëmb e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time e dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kurrë kundër saj”. Leximi i parë ishte një fragment nga Libri i Izaisë Profet e Leximi i dytë, nga Letra, e dyta e Pjetrit, që flet për gurët e gjallë, me të cilët ndërtohet Kisha. Papa, në homelinë e tij të parë, shqiptuar lirisht, në italisht, nënvizoi se në këto tri lexime ka diçka të përbashkët: është “lëvizja”. Në leximin e parë, lëvizja është ecja; në të dytin, ndërtimi i Kishës; në të tretin, është Ungjilli, lëvizja është në dëshmim. Të ecësh, të ndërtosh, të dëshmosh! Gjëja e parë, që Zoti i tha Abrahamit, është kjo: “Ec në praninë time e ji paqortueshëm”. Jeta jonë, pra, vijoi Papa, është shtegtim. Kur ndalemi, diçka nuk shkon. Duhet të ecim gjithnjë në praninë e Zotit, në dritën e Zotit, duke kërkuar të jetojmë atë paqortueshmëri, që Zoti ia kërkoi Abrahamit, në premtimin, që i bëri. Më pas vijoi: “Të ndërtojmë. Ta ndërtojmë Kishën. Flitet për gurë. E gurët janë të fortë; gurët e gjallë, gurët e vajuar nga Shpirti Shenjt. Ta ndërtojmë Kishën, Vashën e Krishtit, mbi atë gurë themeli, që është vetë Zoti”. Pika e tretë: dëshmimi. Ne mund të ecim sa të duam, mund të ndërtojmë shumë gjëra, por nëse nuk e dëshmojmë Jezu Krishtin, kjo nuk shkon. Bëhemi një organizatë jo qeveritare, filantropike, por jo Kisha, Vasha e Krishtit. Kur nuk ecën, ndalesh. Kur nuk ndërton mbi gurë, ç’ndodh? Ndodh ajo, që u ndodh fëmijëve në plazh, kur bëjnë kështjella prej rëre. Gjithçka rrënohet pa vështirësi. Papa citoi, më pas, një frazë të Leon Bloy, që bën fjalë për ata, të cilët nuk e dëshmojnë Jezu Krishtin: “Kush nuk i lutet Zotit, i lutet djallit”, sepse kur nuk dëshmohet Krishti, shpjegoi, dëshmohen dredhitë tokësore të djallit, dredhitë e Demonit”. “Të ecësh, të ndërtosh, të dëshmosh!”. Por kjo nuk është aq e lehtë, sepse kur ecën, ndërton, dëshmon, nganjëherë ka edhe trandje, lëvizje që nuk janë ato të ecjes, lëvizje që të çojnë mbrapa. Fragmenti ungjillor, i propozuar nga liturgjia, nënvizoi, vijon me një situatë të veçantë: “Vetë Pjetri, që e dëshmon Krishtin, i thotë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. Unë do të të ndjek, veç mos na fol për kryqin. Nuk dua ta dëgjoj! Të ndjek, por pa kryqin! Kur ecim pa Kryqin, kur ndërtojmë pa Kryqin e kur dëshmojmë një Krisht pa Kryq, vërejti, nuk jemi dishepujt e Zotit: jemi të botës, jemi ipeshkvij, priftërinj, kardinaj, papë, por jo dishepuj të Zotit. Dëshiroj që në këto ditë hiri, tha më pas Françesku, të marrim guximin, pikërisht guximin, të ecim në praninë e Zotit, me Kryqin e Zotit; ta ndërtojmë Kishën mbi gjakun e Zotit, që u derdh përmbi Kryq; e të dëshmojmë të vetmen lumni: Krishtin e Kryqëzuar. E kështu Kisha do të ecë përpara.
Uroj, tha në përfundim, që Shpirti Shenjt, lutja e Zojës, Nënës sonë, të na e nxjerrë të gjithëve këtë hir: të ecim, të ndërtojmë, të dëshmojmë Jezu Krishtin e Kryqëzuar. E ashtu qoftë”.Një lutje e posaçme iu lartua Zotit, që Benedikti XVI t’i shërbejë Kishës edhe i fshehur bote, me një jetë kushtuar lutjes e meditimit.
Analistët komentojnë për Papa Françeskun/Ndryshe nga tradita, kardinalët katolikë zgjodhën një papë që nuk është nga Evropa, të parin nga Amerika Latine dhe të parin jezuit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera, na sjell më shumë hollësi për papën e ri. Kardinali 76-vjeçar Horhe Marjo Bergolio, kryepeshkop e Buenos Ajresit, u zgjodh papa i 266 dhe ka marrë emrin Françesk. Historiani i kishës, Kristofër Belito, i cili jep mësim në Universitetin Kean në Nje Xhërsi, thotë se papa i ri njihet si një njeri që ka bërë jetë të thjeshtë. “Ai nuk përdor limuzinë me shofer, ai merr autobuzin për të shkuar në punë. Ai jeton në një apartament të thjeshtë dhe jo në pallatin e kryepeshkopatës. Ai njihet për një jetë të thjeshtë lutjesh. Gjithashtu duket se ai gatuan vetë hera herës”. Xhorxh Ferxoko, profesor i Teologjisë në Universitetin Bristol të Anglisë thotë se emri që merr papa i ri është një shenjë e rëndësishme. “Për pjesën më të madhe të një shekulli apo dy, të njëjtët pak emra janë përdorur vazhdimisht. Çfarë kemi në këtë rast është një zgjedhje e pakrahasuar me emrin Françesk. Ky nuk është vetëm një emër i ri, është kuptimi që ka ky emër. Ai është një shenjt dhe një emër që pasqyron shenjtorin, i cili ishte i dedikuar t’u shërbente më të varfërve mes të varfërve, paqes dhe urtisë, për të shpërdarë fjalën e zotit dhe i dedikuar për shërbimin ndaj kishës”. Në të njëjtën kohë, thotë Ferxoko, Fraçesku është jezuiti i parë i papatit të Romës. “Duke zgjedhur dikë nga urdhëri i Bergolos, ne kemi dikë që ka demonstruar që prej fillimit të karierës së tij si prift devocionin për papatin. Ai është tejet e patundur në fuqinë qendrore të Kishës dhe kur them fuqinë, kam parasysh fuqinë shpirtërore. Ai është papa i parë Jezuit dhe vetëm kjo është mbresëlënëse, po të kemi parasysh se Urdhëri Jezuit u themelua në shekullin e 16-të, kryesisht si ‘mbrojtës i papatit’. Ky urdhër është totalisht në shërbim të papatit”. Belito thotë se si Shën Françesku ashtu edhe themeluesi i Urdhërit Jezuit, Shën Ignatius i Lajolës, ishin njerëz të devotshëm të kishës. “Kjo do të thotë se ata do të bëjnë atë që u thuhet të bëjnë, por në mënyra shumë novatore”. Belito thotë se se është vështirë të parashikohet se si do të veprojë Papa Françesku me çështje të tilla si reformimi i burokracisë së Vatikanit, të njohur si Kuria. “Shumë njerëz thonë se 1/3 e Kolegjit të Kardinalëve punojnë në Kuria, kjo duhet ndryshuar në 2/3 e Kolegjit të Kardinalëve, dhe pikërisht 2/3 duhen për t’u zgjedhur, 2/3 e Kolegjit të Kardinalëve janë nëpër dioqeza. Duket sikur ata donin dikë që ka jetuar duke punuar për zgjidhjen e problemeve në nivelet bazë të kishës”.