Ndryshimi i rendit të ditës dhe minutazhit për raportimin e institucioneve në Kuvend, Balla pranon kërkesën e opozitës

Deputetët demokratë kanë kërkuar në kuvend ndryshimin e rendit të ditës. Sipas demokratëve, dy projektvendimet, ai “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”, dhe ai “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, janë pozicionuar pothuajse në fund të rendit të ditës dhe orari për diskutimin e tyre është llogaritur në orët e para të mëngjesit të së premtes. Dhe ky orar, sipas deputetit Belind Këlliçi, nuk do u japë projektvendimeve, vëmendjen që meritojnë.
“Komisionet hetimore i keni çuar në 2-3 të mëngjesit. Rishikojeni sepse kanë vëmendje të veçantë. Të ndryshohet rendi i ditës”, tha Këlliçi.
Kjo kërkesë e tij, u pranua nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili i kërkoi Këlliçit gjetjen e një momenti të përshtatshëm për pozicionimin në rendit e ditës të dy projektvendimeve.
Po ashtu, Balla ka pranuar edhe kërkesën e parashtruar në seancë nga deputetja demokrate Ina Zhupa për ndryshimin e minutazhit për raportimin e institucioneve në Kuvend dhe debatin e deputetëve.
“Shqetësimi që u ngrit këtu për dy pika të rendit të ditës që mbartin rëndësi sa i përket axhendës, koleg hajdeni të flasim e të diskutojmë si ta përfaqësim axhendën e ditës së sotme. S’kemi pasur dakordësi.
Kjo duhet të vijë me shkrim, më parë.
Megjithatë, përgjatë zhvillimit të seancës, bashkë me z.Këllici të gjejmë një moment për të pasur dakordësi. Tërhiqemi nga kërkesa jonë për 90 minuta dhe rikthehemi te kërkesa e grupit parlamentar të PD me kusht të ruajtjes së kohës së përcaktuar, dhe folësat e përcaktuar deri tani”, tha ai.