E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi klimaterik kerkohen investime ne energjine e paster

Në një kohë që shkencëtarët klimaterikë dhe liderët politikë kanë marrë pjesë në konferencën e Dohës pikërisht për klimën, pyetjet për pasojat e ndryshimit klimaterik sa vijnë e shtohen. 

Shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas kalimit të uraganit Sendi kanë ngritur shqetësimin nëse rritja e frekuencave të motit ekstrem në Amerikën e veriut dhe në të gjithë botën, ka lidhje me ndryshimet klimaterike dhe ngrohjen globale. 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama edhe pse ka përjashtuar faktin se Uragani Sendi ka lidhje me ndryshimin klimaterik, nga ana tjetër ka pohuar se temperaturat globale po rriten. 
"Jam i bindur se ndryshimi klimaterik është real, dhe që vjen si pasojë e sjelljes së njerëzve si dhe lëshimit të gazrave të karbonit. Si pasojë e kësaj mendoj se e kemi për detyrë ndaj brezave të ardhshëm që të bëjmë diçka për këtë”, u shpreh ai.

Organizata botërore metereologjike në raportin e saj vjetor ka bërë të ditur se volumi atmosferik i gazrave të cilat shkaktojnë ndryshimet klimaterike ka arritur një nivel rekord në vitin 2011. 

Shumë aktivistë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por në të gjithë botën, kanë vënë alarmin për masat e menjëhershme që duhet të merren për reduktimin e emetimit të gazrave. Fakt është që ky tashmë përcaktohet si një problem global. Pak rëndësi ka nëse këto gazra emetohen nga Kina, India, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia apo Europa. Impakti që kanë në klimë është i njëjtë. 

Raporti i Programit klimaterik të Kombeve të Bashkuara sqaron në mënyrë alarmuese se emetimet e gazrave në vitin 2020 mund të rriten ndërmjet 8 dhe 12 bilion ton, një shifër që mund të ngrejë temperatura 2 gradë celsius më shumë nga ajo që është parashikuar nga shkencëtarët. 

Të shqetësues se mos kriza ekonomike globale e shkaktuar deri diku dhe nga thatësira, një koalicion i investitorëve për klimën u kanë kërkuar qeverive që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të investojnë në energji të pastër. Në një letër të hapur, aleanca e investitorëve institucionalë të cilët menaxhojnë rreth 22.5 trilion dollarë asete, janë shprehur se rritja e emetimit të gazrave është konstante dhe shumë e shpejtë. 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›