E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshohet plani rregullues i lagjes Tophane në Prishtinë

Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Prishtinës ka aprovuar dhe dërguar për miratim në Asamblenë Komunale propozim-vendimet për miratimin e Planit zhvillimor të komunës për periudhën 2013 – 2022 dhe propozim-vendimin për miratimin e Strategjisë së zhvillimit lokal ekonomik të komunës së Prishtinës për periudhën 2013 – 2016, thuhet në një njoftim të Komunës.

Anëtarët e KPF-së gjithashtu kanë aprovuar edhe propozim-vendimin për rishikimin e buxhetit për vitin 2013, propozim-vendimin për fillimin e ndryshimit dhe plotësimit të Planit rregullues të lagjes “Tophane”.

Për miratim në mbledhjen e radhës së KK-së (nuk thuhet kur do të jetë kjo mbledhje) do të dërgohen edhe propozim-vendimi përfundimtar për lokacionin e objektit të Kishës Katolike në Prishtinë, propozimi për këmbimin e pronës së paluajtshme në pronësi të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik/juridik, propozim-vendimi për pezullimin e procedurës së tenderimit për dhënien me qira të qoshqeve në qytet, propozim-vendimi për vazhdimin e zbatimit të Rregullores dhe Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tatim në pronën e paluajtshme për vitin 2014, propozim-vendimi për lejimin e fletë transferit të mjeteve ndërmarrjes publike lokale “Hortikultura”. Me propozim të Drejtorisë së Urbanizmit është tërhequr pika e rendit të ditës shqyrtimi publik i propozim-planit për ndryshimin dhe plotësimin e Planit rregullues të lagjes “Lakërishta”. Ky propozim-vendim do të shqyrtohet për aprovim në mbledhjen e radhës të Komitetit për Politikë dhe Financa, thuhet në fund të kësaj komunikate. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›