E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshojnë rregullat, hiqen formularët A3 dhe A4

 
 
 
Ja degët e universiteteve ku do të shtohen kuotat e pranimit për vitin e ri akademik. Tafaj: Aplikimi i formularit A2 do të jetë përmbyllës për regjistrimin në universitet
 
TIRANë - Pranimi i studentëve të rinj në universitetet publike të vendit, këtë vit do të realizohet vetëm me një fazë, që është ajo e plotësimit të formularit A2. Lajmi është zyrtarizuar dje nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka vendosur të ndryshojë disa rregulla të procesit të pranimit në universitete. Kështu, sipas deklaratës së bërë dje nga kreu i Arsimit, këtë vit, aplikimi i formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin në institucionet e arsimit të lartë. Për të shmangur tejzgjatjen e procesit të Maturës Shtetërore, nuk do të këtë më formular A3 dhe A4, të cilët gjatë maturave të kaluara janë përdorur për plotësimin e vendeve vakante në universitete. Ndërsa për sa i përket formularit A2, Myqerem Tafaj është shprehur se ai do të plotësohet nga maturantët, pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të maturës dhe notën mesatare. Sipas tij, këtë vit, procesi i provimeve të Maturës Shtetërore ato të detyrueshme dhe me zgjedhje do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010.
Kuotat
Përveç ndryshimit të procedurës së pranimeve në universitete, ministri i Arsimit ka bërë të ditur se edhe numri i kuotave të pranimit do të përcaktohet sipas kresave që kanë degët e universiteteve në tregun e punës. “Do të ulim numrin e kuotave të pranimit në degët që nuk kanë treg pune, siç është bërë Mësuesia. Përparësi do të kenë degët: Ekonomi, Biznes, Menaxhim, Teknologji Informacioni, Informatika dhe Shkencat e Natyrës. Për këtë nevojitet edhe bashkëpunimi me universitetet”, - është shprehur Myqerem Tafaj. Më tej, ai është shprehur se këto janë vetëm ndryshimet e këtij viti për procesin e maturës, pasi gjatë viteve të ardhshme, pas 2-3 vjetësh Matura Shtetërore do të ketë 4-5 provime me detyrim, si Matura klasike Europiane.
Vlerësimi
Gjatë maturës së sivjetshme do të ndryshojë edhe mënyra e vlerësimit të maturantëve që duan të konkurrojnë për në universitet. Kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, sqaroi se nuk do të ketë rikorrigjim të tezave, por vlerësimi do të bëhet nga katër mësues të ndryshëm. Vendimi për ndryshimin e skemës së vlerësimit është marrë, pasi vitin e shkuar rreth 3 për qind e maturantëve kërkuan rivlerësim dhe një pjesë e tyre kishin të drejtë. “Korrigjimi nga dy mësues, korrigjimi i parë dhe në rastin kur diferenca mes dy vlerësuesve është e ndjeshme, atëherë do të bëhet një vlerësim i dytë, dhe në fund çdo test është i certifikuar nga tre korrigjues dhe nga një përgjegjës”, - ka sqaruar Tafaj. Sakaq, për t’u ardhur në ndihmë maturantëve për provimet e maturës, ministri i Arsimit ka urdhëruar drejtuesit e shkollave që të organizojnë konsultime për provimet, sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Gjithashtu, sipas tij, gjatë Maturës 2010, Këshillimi i Karrierës për maturantët do të marrë një bazë më të gjerë, duke përfshirë jo vetëm fushën sensibilizuese në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe organizimin e ditëve të hapura për këshillimin e karrierës, në të gjitha qarqet dhe prefekturat e vendit.
 
 
 
Konferencën Kombëtare
 
“Matura Shtetërore drejt standardeve europiane”
 
TIRANë - Organizohet për herë të parë në vendin tonë Konferenca Kombëtare për Maturën Shtetërore. Ministria e Arsimit organizoi në ambientet e shkollës së mesme artistike kombëtare “Jordan Misja”, konferencën kombëtare me temë “Matura Shtetërore drejt standardeve europiane”. Në fjalën e tij, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e cilësoi implementimin e Maturës Shtetërore një standard modern të arsimit shqiptar, të mirëpritur nga vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar. Sipas tij, Matura Shtetërore ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të shkollës së mesme dhe do të vazhdojë të ndikojë, duke e çuar atë drejt standardeve europiane. Po ashtu, Tafaj ka argumentuar se implementimi i sistemit Meritë-Preferencë në pranimet në universitetet publike vendosi një standard të ri realist dhe transparent, të mbështetur në meritën dhe preferencën e çdo maturanti. “Matura Shtetërore ka realizuar deri tani një përputhje shumë të mirë midis ofertës dhe kërkesës në tregun e Maturës. Përmirësimi i cilësisë së kandidatëve që preferojnë programe studimi të caktuara, rrit reputacionin e universiteteve”, - është shprehur Tafaj. Duke e cilësuar përgatitjen për provimet e maturës detyrë parësore të shkollës, ministri Tafaj garantoi se tezat e provimeve do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme. Gjatë konferencës u referua nga të pranishmit edhe në lidhje me rritjen e kapaciteteve të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, për administrimin e Maturës Shtetërore, tendencat dhe dukuritë në zbatimin e parimit Meritë-Preferencë dhe si i ka shërbyer matura rritjes së cilësisë së arsimit të lartë. Në përfundim të konferencës kombëtare u zhvilluan edhe dy tavolina të rrumbullakëta, në të cilat specialistët e fushës diskutuan rreth organizimit, menaxhimit dhe administrimit të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës. Gjithashtu u diskutua dhe rreth Këshillimit të Karrierës dhe fazës së përcaktimit të fituesve.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›