E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon vallja me ritëm ambasadorësh

 
Nga MUSTAFA NANO
Ecejaket e ambasadorëve në zyrën e Presidentit të Republikës sonë nuk janë tanimë një déjà vu; përkundrazi, janë konstante e jetës politike shqiptare në harkun e njëzet viteve të fundit. Kishim menduar se e kishim hedhur pas krahëve këtë traditë e këtë praktikë të negociatave të mundimshme mes palëve të kërkuara e të dirigjuara nga diplomatë perëndimorë, por nuk paskësh qenë e thënë. Ne, njësoj me dhjetë a njëzet vjet më parë, nuk ia dalim dot të ulemi rreth një tavoline bisedimesh pa ndihmën e ca mediatorëve, dhe kjo është dëshmia më ulëritëse e pafuqisë sonë për t’u vetëqeverisur. Në këto rrethana, të duket për të qeshur fakti që ne jemi anëtarë me të drejta të plota në klubin ushtarak më të fuqishëm të të gjitha kohërave (NATO) e që kemi aplikuar për t’u anëtarësuar në klubin e demokracive më të konsoliduara e vendeve më të mbrothëta të planetit (BE).
Nuk kam ndërmend të rihyj për herë të n-të në arsyet e opozitës për të provokuar këtë krizë politike nëpërmjet bojkotimit spektakolar të parlamentit të zgjedhur në qershor të vitit që shkoi, por në këto rrethana dihej qysh në fillim se puna do të vinte tek tavolina e bisedimeve. Në krye të herës, maxhoranca e mori lehtë-lehtë mungesën e opozitës në parlament. Berisha e të vetët, sa herë që janë ndodhur në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është se e kanë fshehur që kanë qenë në një situatë të sikletshme. E duke mos ditur se ç’të bëjnë atje brenda pa opozitën, e kanë shndërruar parlamentin në një forum politik të maxhorancës, në foltoren e të cilit është shfaqur herë pas here kryeministri, fillimisht për t’i bërë lutje e ftesa prej gentleman-i opozitës, e më pas për të mbajtur fjalime të egra antiopozitare, derisa përfundoi të improvizonte me një gjuhë tepër të shpenguar një version erotik, ekzistencial e të vrazhdë të jetës familjare të udhëheqësit të opozitës, aq sa ne të tjerëve na bëhej se po asistonim në shfaqjen e dramës “Kush ka frikë nga Virginia Woolf?” (dhe në fakt, për një përkim të rastit, në skenën e teatrit kombëtar po bëheshin gati ta vinin në skenë këtë pjesë).
E ç’duhet të bënte maxhoranca? Duhej të ulej qysh në fillim me opozitën për të gjetur një zgjidhje adekuate të situatës. Kjo do të ndodhte në çdo vend normal të botës. Por Berisha, Meta e Topalli nuk bënë këtë. Përkundrazi, filluan të qeverisin në mënyrë kinse të gëzuar e tamam arrogante, duke dhënë idenë se ishin të vetëmjaftueshëm. Përveç kësaj, nuk lanë gur pa lëvizur për ta bërë për vete diplomacinë europiane, dhe duhet thënë se, duke shfrytëzuar qasjen paranojake të kësaj të fundit për ca stabilitet me çdo kusht në vendin e shqipeve (që përkthehet: stabilitet po, demokraci jo), ia arritën qëllimit. Për muaj të tërë ne nuk kemi pasur gjë tjetër për të bërë, veçse të dëgjonim opinionin e Berishës të vënë në gojën e funksionarëve të ndryshëm të Brukselit apo Strasburgut. Po tjetër? Maxhoranca u vu në pritje të përçarjes së opozitës, duke hedhur spica e duke iu vardisur maverick-ëve brenda Partisë Socialiste. Të gjitha këto dështuan, por edhe mund të mos dështonin, gjë që na bën të mendojmë se demokracia shqiptare është në fakt një shkallë më poshtë sesa regjimet që Fareed Zakaria i quan “illiberal democracies (demokraci iliberale)”. Në këto të fundit, ndonëse bëhen zgjedhje të pakontestuara, verifikohet qeverisja jotransparente, kontrolli i mass-media-s, përqendrimi i tre pushteteve në një dorë të vetme, ngritja e përdorimi partizan i administratave e burokracive, presioni e dhuna ndaj sipërmarrjes së lirë etj., etj. Duket sikur flitet për Shqipërinë, por nuk është tamam kështu. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje.
Rikthehemi aty ku e nisëm, për të përsëritur e theksuar idenë se maxhoranca nuk kish rrugë tjetër në rrethanat e bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës, veçse të bënte çmos të mos e fuste vendin në një cul-de-sac të rrezikshëm. “Nuk ka pse maxhoranca të plotësojë tekat e opozitës”, - mund të thuhet nga shumëkush. Po ç’duhet bërë atëherë në kushtet kur opozita, e cila për një fije nuk u bë maxhorancë, nuk futet në parlament, me pretendimin se zgjedhjet janë manipuluar? Mos vallë maxhoranca duhet të shtypë me dhunë një opozitë që kërkon as më pak, as më shumë rinumërim të votave në kutitë e votimit? Jo, thjesht duhet të ulet me të e të përpiqet të kuptojë arsyet e saj. Në mos, të negociojë një zgjidhje a një kompromis.
Kjo që po ndodh këto ditë, pra, duhej të kish ndodhur qysh në fillim. Një maxhorancë nuk ka pse t’i mbështesë shpresat te mirëkuptimi i të huajve për paudhësitë e veta; përkundrazi, asaj i duhet të kuptohet e mirëkuptohet me opozitën. Një maxhorance, dhe një opozite gjithashtu, u duhet të sillen bash sikur në këtë botë të mos kish agjentë ndërmjetësimi. Vërtet, ç’do të ndodhte në rrethanat, kur mediatorët që nuk mendohen dy herë kur vjen puna për të na marrë për dore e për të na treguar rrugën nga duhet të ecim, do të mungonin? Për mendjet e shtruara e për ata që vënë të mirën publike mbi ambiciet personale për pushtet, s’do kish zgjidhje tjetër, veç negociatave e kompromisit. 
Nuk u bë kjo. Dhe ja ku jemi në situatën ku palët po ulen në tavolinë nën komandën e të huajve. E nën vështrimin miratues të opinionit të shastisur publik. Vërtet duhet përshëndetur kjo gjë? Sipas meje, është një gjë e shpifur, s’ka pse negociatat në fjalë mund të sjellin normalitetin politik (personalisht dyshoj shumë që nga negociatat të lindë një “djalë”). Neve do të na duhej të përshëndesnim një sjellje tjetër të klasës sonë politike, atë të kërkimit e të gjetjes së gjuhës së përbashkët pa praninë e pa dirigjimin e të diplomatëve perëndimorë. Lehtësia, me të cilën kjo klasë politike e polli këtë krizë, dhe tërheqja prej hunde drejt një tryeze bisedimesh, ku synohet të zgjidhet e njëjta krizë, të bëjnë të mendosh se këto njëzet vite nuk kemi mësuar gjë tjetër, veçse të replikojmë veset e pafuqinë tonë kolektive.
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›