Braçe: Skema e Berishës thellon krizën e shton papunësinë

Privatizimi i aseteve publike
Deputeti socialist akuzon qeverinë se, për shkak të politikave elektorale po rritet borxhi, i cili reflektohet në mungesë të ardhurash dhe në shkurtime masive në administratë
Partia Socialiste reagoi ashpër ndaj deklarimit të kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë, kur tha se do të privatizohen të gjitha asetet publike. Deputeti Erion Braçe tha se kjo nismë ndërmerret për qëllime të mirëfillta korruptive dhe për përfitime personale. Në të njëjtën kohë, sipas Braçes, kjo është një dëshmi e asaj që Partia Socialiste ka paralajmëruar në kohë, pra që kriza ekonomike po thellohet e që arka e shtetit është bosh. “Urdhri i kryeministrit dëshmon për thellimin e krizës ekonomike në vend dhe përhapjen e gjerë të saj, boshatisjen e paprecedentë të arkës së shtetit, mungesën kronike të parave për funksionet kushtetuese e administrative të shtetit; mungesën e parave për përmbushjen e detyrimeve ligjore për paga e pensione; mungesën e parave për përmbushjen e detyrimeve ligjore e sociale për pagesa të faturave ndaj shtresave të gjera në nevojë; mungesën e parave për përmbushjen e detyrimeve për shërbime publike, arsim e shëndetësi kryesisht; mungesën e parave për përmbushjen e objektivave themelore të zhvillimit, investimeve publike etj.”, tha Braçe. Sipas tij, ky urdhër që ka dhënë kryeministri Sali Berisha paralajmëron për dështimin përfundimtar të qeverisë së Sali Berishës e Ilir Metës në përballimin e krizës ekonomike. Po ashtu, Braçe tha se kjo dëshmon mungesën e një plani serioz, të qartë e të efektshëm për shpëtimin e ekonomisë së vendit, për të cilën tha se po rrënohet prej vendimmarrjes së korruptuar.
“Urdhri i kryeministrit paralajmëron nisjen e një vale të re grabitjesh të pasurisë publike që nuk shpëton ekonominë e vendit, por pa asnjë mëdyshje do të pasurojë edhe me familjet në pushtet”, vijoi deputeti socialist. Në emër të PS-së, Braçe tha se të nxjerrësh në shitje gjithë pasurinë kombëtare të vendit, duke përfshirë edhe tokën, në kushtet e krizës ekonomike, nuk është thjesht mungesë vizioni, por një krim i qëllimtë për të shitur e blerë më të lirë, nisur nga qëllime korruptive e përfitime të mëdha personale, në ikje e sipër! Sipas tij, Berisha po nxjerr në shitje gjithçka, si garanci për borxhet e reja që do të marrë deri në muajin maj. Braçe tha se kjo është në përputhje me skemën e Berishës të shlyerjes së borxhit me borxh. Po ashtu, deputeti socialist tha se, për shkak të politikave elektorale të kryeministrit aktual, borxhi për realizimin e tyre do të rritet nga viti në vit, por nga ana tjetër, do të pasqyrohet në rënien e të ardhurave. “Ky është cikli i frikshëm i krizës, të ardhurat do të vijojnë të bien edhe më, për shkak të rënies së dukshme të rritjes ekonomike. Pra, paratë do të vijojnë të mungojnë. Efekti i menjëhershëm do të jetë shkurtimi i shpenzimeve publike. Efekti më i pritshëm i tyre është humbja masive e vendeve të punës, tani edhe në administratën publike, shërbimet jetike, duke nisur nga arsimi e shëndetësia. Pikërisht humbja e vendeve të punës ka nisur. Po ju marr si shembull arsimin: vetëm këtë javë në Berat kanë humbur vendet e punës mbi 60 mësues, për shkak të mungesës së parave, secili me nga 25-33 vite pune, ndërkohë qeveria ka miratuar ditët e fundit të janarit, përtej shkurtimeve që po ndodhin, shkurtimin edhe të 1300 vendeve të tjera të punës deri në maj! Ky është vetëm fillimi! Sali Berisha ka thënë se do të rrijë në pushtet deri në vitin 2035!” - tha Braçe.
K. K.
Plani i qeverisë
Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur planin e tij për të privatizuar të gjitha asetet publike, ndërsa zhvilloi një mbledhje konsultimi me ministra dhe ekspertë të qeverisë. Në këtë mbledhje, Berisha tha se gjatë vitit 2010 do të privatizohet çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar nga asetet publike, me përjashtim të shkollave, spitaleve e digave. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme”, tha Berisha. Më tej, kryeministri u shpreh se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar.
Qeveria shqiptare, projekt me Malin e Zi për thellimin e Bunës
Qeveria shqiptare planifikon me qeverinë e Malit të Zi të punojë në një projekt të përbashkët të thellimit të lumit të Bunës, lumë i cili në fillim të këtij viti përmbyti qytetin e Shkodrës, për shkak të prurjeve nga kaskadat e hidrocentraleve. Kjo çështje është diskutuar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i cili ndodhej në vizitë zyrtare në Tiranë. Referuar burimeve zyrtare të kryeministrisë, gjatë takimit, kryeministri Berisha renditi një sërë projektesh me interes të përbashkët në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjetikës, mbrojtjes së mjedisit etj. “Projekti i thellimit të lumit Buna është një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin dhe ambientin”, tha Berisha në takim. Po ashtu, kryeministri falënderoi Malin e Zi për ndihmën dhe solidaritetin e treguar gjatë përmbytjeve natyrore në zonën e Shkodrës. Kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin te zhvillimi rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, si një moment kyç suksesi. Ndërkohë, ditën e sotme kreu i qeverisë shqiptare pritet të udhëtojë drejt Italisë së bashku me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, ku do të zhvillojë disa takime të rëndësishme me investitorë italianë, të cilët kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri. Ditën e nesërme, axhenda e kryeministrit shqiptar parashikon një takim me kryeministrin italian Silvio Berluskoni, në orën 13:00, në pallatin kryeministror.
Qeveria sposton statujën e Nënë Terezës
Qeveria shqiptare ka planifikuar që me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shenjtores me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, statuja e saj të vendoset në qendër të Tiranës, aty ku dikur qëndronte statuja e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha tha se pozicionimi aktual i statujës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës është një përzgjedhje jo e goditur. “Kryeqyteti i vendit ka një ndër sheshet më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban emrin e saj. Ky shesh duhet të ketë përkujdesjet e nevojshme për këtë 100-vjetor. Shtatorja e Nënë Terezës është e vendosur, mendoj, me një përzgjedhje jo të goditur, ndaj ajo duhet të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet e të vendoset në sheshin që mban emrin e saj”, tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se grupi i punës që është ngritur për këtë çështje ka një ide që të ngrihet një muze për të paraqitur e njohur qytetarët shqiptarë dhe miqtë që vijnë në Shqipëri me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. “Ka pasur mendime të ndryshme dhe kjo është normale, por në tërësi predominon mendimi se nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër gjigande, por për një muze që të shprehë të gjithë dhuntitë e shpirtit të saj. Ndaj në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe autoritetet e qeverisë vendore të kryeqytetit duhet të procedohet që hapësira midis rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik përbën një hapësirë mjaft të goditur për një muze, në proporcion me përmasat e sheshit”, tha Berisha.