E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon forma e deklarimit tatimor

Nga shtatori, biznesi i madh dhe i vogël duhet të plotësojnë formularë të rinj

Administrata tatimore ka ndërmarrë ditët e fundit një vendim teknik mbi mënyrën e deklarimit të të ardhurave tatimore, referuar edhe vendimit të qeverisë mbi ndarjen e kategorive të bizneseve. Urdhri është lëshuar nga drejtori i ri i Tatimeve, Gazmir Spahija, duke vënë në dijeni të gjitha strukturat tatimore.

“Për të vepruar në mënyrë unike lidhur me plotësimin dhe dorëzimin e listëpagesave nga subjektet e biznesit të vogël me qarkullim vjetor 5 deri 8 milionë lekë, si dhe subjektet me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë, që ushtrojnë profesionet e caktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1058, datë 21.10.2009, bashkëlidhur dërgojmë vendimin teknik Nr. 4/k, datë 14.7.2010 ‘Për ndryshimin e vendit të dorëzimit të listëpagesave nga tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël’”, udhëzon drejtori i përgjithshëm i Tatimeve.

Mbështetur në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, udhëzohet zbatimi i rregullave të reja. Sipas vendimit, nga subjektet e regjistruara në biznesin e vogël, me qarkullim vjetor 5 deri 8 milionë lekë, si dhe nga subjektet me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë, që ushtrojnë profesionet e caktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1058, datë 21.10.2009 “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke filluar nga periudha tatimore shtator 2010 (tremujori i tretë) e në vazhdim, krahas me deklarimin elektronik të detyrimeve për kontributet, do të dorëzojnë, në protokollin e organit përkatës tatimor, listëpagesën sipas formatit bashkëlidhur “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (biznes i vogël)”, numër E-SIG 025/a.3.

Subjektet e regjistruara në rrethet jo qendër qarku, listëpagesën mund ta dorëzojnë dhe/ose në protokollin e zyrës së shërbimit të tatimpaguesve të rrethit përkatës, të cilat menjëherë sipas rregullave të përcaktuara i dorëzojnë në Drejtorinë Rajonale Tatimore. Në listëpagesë, nga punonjësi përkatës i organit tatimor, sipas rastit, vendoset numri dhe data e dorëzimit në protokollin e zyrës së shërbimit të tatimpaguesve, apo numri e data e protokollit e Drejtorisë Rajonale Tatimore, të cilat i bëhen të njohura subjektit në momentin e dorëzimit të listëpagesës. Subjektet e regjistruara në biznesin e vogël, të cilat kanë më shumë punonjës nga sa janë rreshtat që përmban formati i listëpagesës bashkëlidhur Nr. E-SIG 025/a.3, të dorëzojnë në protokollin e organit tatimor përkatës tre listëpagesa mujore (nga një për secilin muaj të tremujorit) sipas formatit të miratuar “Listëpagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” E-SIG 025/a.1, që plotësohet nga subjektet e regjistruara në biznesin e madh.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›