Shkurtimi i fondeve lë spitalet pa ilaçe
Investimi për vitin 2010 për sektorin e shëndetësisë ishte miratuar në shumën prej 5 miliardë e 476 milionë lekësh.
Krahasuar me 2009-n, investimet patën një rritje prej 52 përqindësh. Për sa i përket burimit të financimit për vitin 2010 ndarja e tyre ishte: Investime të brendshme, 4 miliardë e 301 milionë lekë; investime të huaja, 1 miliardë e 175 milionë lekë. Në një shkresë zyrtare, Ministria e Shëndetësisë i sqaron financave se çfarë ka bërë lidhur me kërkesën për pakësimin e buxhetit. Në këtë dokument theksohet se janë ndërprerë procedurat e tenderëve dhe impakti që do të ketë ky shkurtim, do të jetë i ndjeshëm në këtë sektor.
Analiza e shëndetësisëNdërhyrjet kryesore që parashikohen në buxhetin e miratuar për vitin 2010 nëpërmjet investimeve ishin: në shërbimin e kujdesit dytësor, parësor, shëndet publik. Në buxhetin për vitin 2010, për fondin e zhvillimit rajonal, u miratuan 300 milionë lekë.
“Në bazë të shkresës së Ministrisë së Financave na u propozua ulja e investimeve me financim të brendshëm në shumën prej 1 miliardë e 631 milionë lekësh dhe me financim të huaj 530 milionë lekë”, thuhet në shkresën analizuese të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar financave. Sipas kësaj ekspertize, buxheti i miratuar në Parlament prej 5.47 miliardë lekësh të ulej në nivelin e rreth 2.2 miliardë lekëve, ku financimi i brendshëm 1.54 miliardë lekë dhe financimi i huaj 645 milionë lekë.
Tanimë, kërkohet një pakësim prej 3 miliardë e 285 milionë lekësh. Aktualisht Ministria e Shëndetësisë ka dërguar zyrtarisht lisën e pakësimeve në Ministrinë e Financave. Në financimin e brendshëm të pakësimit janë 2.87 miliardë lekë. “Jemi të detyruar të ndërpresim të gjitha procedurat e prokurimeve që nuk ishin finalizuar me lidhjen e kontratës. Kemi ruajtur në një masë 70-80 për qind të nevojave për kosto lokale të objekteve me financim të huaj.
Kemi ulur në kufij të papërfillshëm fondet për disa objekte ndërtimi. Kemi marrë në konsideratë edhe shpenzimet e kryera për llogari të kontratave të lidhura”, sqarojnë ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Impakti në shëndetësiPakësimet kanë impakt të ndjeshëm në objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2010. Pakësim është kërkuar edhe në buxhetin operativ. Sipas ligjit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, për vitin 2010, janë miratuar shpenzimet operative në shumën e 1 miliardë e 372 milionë lekëve, ndërsa transferta kornete të brendshme 777 milionë lekë. Nga ana e Ministrisë së Financave është propozuar ulja e këtyre shpenzimeve në shumën prej 476 milionë lekëh. Kjo shumë përbën një reduktim në masën 22 për qind të kësaj kategorie shpenzimesh. Transfertat ndaj Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore prej rreth 20 miliardë lekësh mbetet e pandryshuar. Totali i pakësimeve në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë arrin vlerën e 3 miliardë e 761 milionë lekëve.
#