E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i shqetësuar për uljen e shpenzimeve buxhetore

Në një reagim, Konfindustria vlerëson, se vendimmarrja politike duhet të tregohet më e guximshme në politikat e saj buxhetore për të mos prekur investimet kapitale të domosdoshme për arritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Administratori i këtij institucioni financiar, Gjergj Buxhuku shpreh se mbajtja me çdo kusht dhe qëllim në vetvete e “Qëndrueshmërisë makroekonomike të varfërisë” si politika, që FMN kërkon dhe qeveria ka pranuar, nuk mund të ndihmoj në zhvillimin e ekonomisë reale si burimin e vërtetë të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare.

“Mbështetur në gjendjen dhe veçoritë e ekonomisë reale shqiptare, ku përmirësimi në tregjet ndërkombëtare kërkon një hapësirë kohore të domosdoshme për t’u shfaqur, - kur ende borxhi sovran prej afër 59 % ndaj PPB si dhe treguesit e tjerë makroekonomike të japin ende hapësira të mjaftueshme krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe BE për manovrime me norma më të larta huamarrje dhe deficiti buxhetor”, ka theksuar Buxhuku.

Konfindustria mendon, se janë të gjitha mundësitë, që pa ulur financimin e investimeve kapitale të parashikuara në buxhetin e shtetit, burime financiare të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit mund dhe duhet të sigurohen nga rregullimi i funksionimit të tregjeve kryesore të vendit si - telefonia e lëvizshme dhe bazike, - tregu i karburanteve, etj.

Gjithashtu, Konfindustria sqaron se është plotësisht e mundur, që një sistem më efikas i administrimit fiskal të mbaj në vend një sasi mjaft të madhe të burimeve valutore të siguruara kryesisht në tregje monopol të ekonomisë dhe që padrejtësisht dalin jashtë vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›