E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon përbërja e AK, krerët në rrethe, anëtarë pa votim

05/04/2010 Ndryshimet në “kushtetutën” e Partisë Socialiste

Asambleja dhe kongresi do të miratojnë ndërhyrjet në statut

Statuti i ri i Partisë Socialiste do të prekë dhe përbërjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Kështu, me ndërhyrjet e radhës në librin e rregullave të kampit rozë, është konsideruar si i rëndësishëm dhe rishikimi i organizimit dhe funksionimit të partisë në nivel vendor. Për këtë arsye, bëhet e ditur se grupi i punës i ngritur pranë PS-së për ndryshimet në statut të këtë propozuar rikthimin e organizimit të PS-së në nivel rrethi, i cili do të ketë një kryetar dhe asamblenë socialiste si forum të saj drejtues. Ndërkohë që mësohet se krahas një ndryshimi të tillë vjen dhe një tjetër propozim, ai i pozicionit të kryetarit të PS-së së rrethit në forumet e larta drejtuese të partisë. Në këtë mënyrë, duke synuar forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të strukturave të partisë në nivel vendor, grupi i punës për ndryshimet në statut ka hedhur mendimin që krerët socialistë të rretheve të jenë anëtarë të asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste. Por një propozim i tillë prek njëkohësisht dhe përbërjen e këtij forumi, pasi në statutin aktual të partisë nuk ka pasur të përfshirë më parë në anëtarësinë e tij drejtuesit socialistë në nivel vendor. Konkretisht, në kushtetutën e PS-së, në dispozitat mbi përbërjen e asamblesë kombëtare cilësohet qartë fakti se është kongresi ai që përcakton numrin e anëtarëve të këtij forumi dhe kryetari i PS-së, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, si dhe kryetari i FRESSH-it, kryetarja e FGSSH-së, janë drejtpërdrejt anëtarë të AK-së të PS-së. Ndërkohë që po sipas këtij statuti, numri i anëtarëve që hyjnë drejtpërdrejt nuk duhet të përbëjë mbi 40 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të asamblesë kombëtare të PS-së. Po kështu, anëtarët që hyjnë drejtpërdrejt në përbërje të asamblesë kombëtare nuk përfshihen në listat e votimit për t’u zgjedhur në kongres. Megjithatë, ndryshimet e radhës në statutin e Partisë Socialiste do të formalizohen në asamblenë kombëtare të kësaj partie. Kështu, pritet që gjatë kësaj jave të mblidhet një forum i tillë për të diskutuar e më pas të miratojë të gjitha ndërhyrjet në librin e rregullave të partisë më të madhe opozitare. Ndërkohë që pas mendimit që do të marrin këto ndryshime në asamble, i mbetet forumit më të lartë vendimmarrës të Partisë Socialiste, e konkretisht kongresit të saj, të thotë fjalën përfundimtare mbi një çështje të tillë. Kështu, mbledhja më e fundit e asamblesë kombëtare të PS-së vendosi që të thërrasë, më 18 prill kongresin e partisë, i cili pritet që të diskutojë dhe të miratojë ndryshimet në librin e rregullave mbi të cilin organizohet dhe funksionon kjo parti.

Ndryshimet në statutin e PS-së

Grupi i punës për ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste ka gati tashmë ndërhyrjet e reja në librin e rregullave mbi të cilat bazohet organizimi dhe funksionimi i partisë. Konkretisht, bëhet me dije se është propozuar rikthimi i organizimit të PS-së në nivel rrethi, i cili do të ketë një kryetar dhe asamblenë socialiste si forum të saj drejtues. Njëkohësisht, kreu i PS-së së rrethit do të jetë automatikisht anëtar i asamblesë kombëtare të PS-së. Po kështu, gjatë diskutimeve ky grup pune ka hedhur poshtë futjen në kushtetutën e PS-së së oponencës kolektive. Njëkohësisht është rrëzuar dhe propozimi që sekretarët e këshillave socialistë të zgjidhen në bazë KZAZ-je, duke vijuar që sekretarët të zgjidhen në bazë rrethi. Gjithashtu, pritet që me ndryshimet e radhës PS-ja në rang qarku të mos përfaqësohet më nga sekretarët rajonalë. Po kështu, në bazë të këtyre ndryshimeve pritet që kryetarët socialistë të komunave e bashkive të mos zgjidhen më sipas parimit “një anëtar-një votë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›