E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në 10 ditë asnjë kandidaturë për BKH. Afati i aplikimeve më 6 qershor. Mes emrave të përfolur edhe Gledis Nano

Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga hapja e garës për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, burime për RTSH bëjnë të ditur se deri tani nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë zyrtare. Afati përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët është data 6 qershor 2025.

Mes emrave që përfliten se do të dorëzojnë kandidaturën në ditët në vijim është edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Po ashtu, përmendet si kandidat edhe drejtori i AMP-së, Florian Sulejmani.

Ndërkohë, brenda vetë strukturës së BKH-së përflitet se mund të ketë kandidatë për drejtimin e institucionit, si Jon Keta, që aktualisht konsiderohet numri dy i Byrosë, apo edhe Mentor Cuku.

Një tjetër emër i përfolur si pjesë e kësaj gare është edhe Elton Kërluku, ish-shef i krimit kibernetik.

Komisioni që do të përzgjedhë drejtuesin e ri të BKH-së përbëhet nga prokurorët Altin Dumani, Behar Dibra dhe Arben Kraja. Pas përzgjedhjes së kandidatit, emri i propozuar i kalon për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë do të kalojë në shtatë faza: testi i arsyetimit logjik, kontrolli mjekësor, testi fizik, ese me shkrim, intervistë, verifikimi i figurës, deklarimi i pasurisë dhe testi i poligrafit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›