Në 2024 u certifikuan 52,5 mln fidanë, Denaj: Garanci për konsumatorin vendas e të huaj

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Specialistët e Entit të Farave dhe Fidanëve janë në terren çdo ditë për certifikimin e fidanëve perimore në këtë sezon të ri të mbjelljes së serrave me perime.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se gjatë vitit 2024, Enti i Farave dhe Fidanëve ka certifikuar mbi 52,5 milionë fidanë.
Denaj e cilësoi certifikimin e fidanëve një proces me rëndësi në zinxhirin e sigurisë ushqimore, duke garantuar prodhime bujqësore të sigurta dhe të shëndetshme për të gjithë.
“18,4% më shumë fidanë të certifikuar gjatë 2024, krahasuar me një vit më parë. Fidanët e certifikuar nga Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve janë të rëndësishëm për një bujqësi të qëndrueshme dhe me rendiment të lartë. Përmes tyre sigurohet cilësia e prodhimeve bujqësore, eliminohet risku i dëmeve në vjelje dhe korrje dhe rritet konkurrueshmëria e fermerëve shqiptarë në tregjet vendase dhe ndërkombëtare, duke sjellë më shumë fitim për fermerët”, theksoi ministrja.
Ndër objektivët e MBZHR-së, është orientimi drejt fidanëve të certifikuar. Këta fidanë i japin një garanci dhe konsumatorit të vendit, por edhe konsumatorëve në tregjet e kualifikuara ku çohen produktet në eksport.

/r.e/a.f/