Në Amerikë

Drejtuesit e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u nisën që dje nga Prishtina dhe mbërritën në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të vizitës së tyre me ftesë të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Bush. Sejdiu tha se ftesa dhe takimi më 21 korrik me presidentin Bush është shumë i rëndësishëm, historik dhe dëshmon mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën. Duke folur për BBC-në, Sjediu tha se takimi shënon një nivel të ri të zhvillimit të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Kosovës, dhe shprehu besimin e tij se takimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përbëjë një moment shtytës për njohjen e mëtejme të pavarësisë së Kosovës nga vendet që kanë hezituar ta bëjnë këtë deri tani. Po sipas BBC-së, Sejdiu i ka bërë thirrje Serbisë që t’i ndalë veprimet e saj në raport me Kosovën dhe ka shtuar se nuk do të ketë kurrfarë rivlerësimi të shpalljes së pavarësisë së Kosovës as nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, as nga OKB-ja. Këtë kërkesë pritet ta paraqesë në Kombet e Bashkuara në shtator Serbia. Radiotelevizioni i Kosovës citoi Sejdiun të ketë thënë, se në takimin me presidentin Bush do të paraqiten një sërë çështjesh që lidhen me zhvillimin e Kosovës, njohjen e shtetit të ri dhe marrëdhëniet rajonale. “Sigurisht që do të japim edhe aspekte të tjera të vizionit tonë, për qasjen që kemi me vendet e tjera të rajonit, fqinjësi të mirë që duam ta kemi me të gjithë, dhe të pjesës për nxitjen e Shteteve të Bashkuara për njohjen e Kosovës edhe nga vende të tjera. Janë takime të rëndësishme për ne dhe mund të them lirisht se është një moment historik për marrëdhëniet tona, duke pasur parasysh edhe gjithë investimet tepër të rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për Kosovën në të gjitha fushat dhe në atë që është kryesore, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, - u citua Sejdiu nga radioja “Kosova” dhe agjencia “Kosovalive”. Ndërkaq, kryeministri Thaçi iu referua mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit, përfshi kohën kur ai ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në platformën e saj të parë kishte bashkimin kombëtar me Shqipërinë. “Rëndësia dhe kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha administratat, që nga presidenti Bush i Vjetër, administrata “Klinton” dhe tani administrata e Bushit të Ri, ka qenë kruciale dhe vendimtare për çlirimin, lirinë, progresin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, - tha Hashim Thaçi. Ai mori detyrën e kryetarit të qeverisë për herë të parë më 17 nëntor 2007, 8 vjet pas qëndrimit në opozitë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Bashkë me Sejdiun dhe Thaçin është në delegacion edhe ministri i Jashtëm shqiptar i Kosovës, Skënder Hyseni. Ata do të priten më 18 korrik, nesër, nga sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rajs. Shtëpia e Bardhë thotë se takimet do të konfirmojnë mbështetjen e Uashingtonit për shtetin më të ri të botës. Kosova është një krahinë etnike e Shqipërisë, e cila iu shkëput asaj dhe iu dha Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.