Tre arabë padisin Nishanin

TIRANË – Tre urdhra dëbimit për tre persona me origjinë arabe të firmosur tre muajt e fundit nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, kanë përfunduar të tre në gjykatë. Rastësisht mbase, historia e dy arabëve të parë të dëbuar nga Shqipëria nis me 15 mars të këtij viti, ditën e tragjedisë më të madhe të 10 viteve të fundit, asaj të Gërdecit. Për koinçidencë mbase ministri i Brendshëm Bujar Nishani firmosi urdhrat e dëbimit fillimisht për dy sudanezë pikërisht në mes të marsit, dhe po ashtu siç ai në bazë të ligjit, mund të mos japë shpjegime për motivacionin e urdhrit, po aq mister mund të ngelet dhe orari kur ai e ka hedhur firmën, para, apo pas mesditës apokaliptike që ktheu përmbys Gërdecin dhe shkaktoi 26 viktima e qindra të plagosur. Sidoqoftë mes fatit të dy sudanezëve dhe një shtetasi kuvajtian, i fundmit i dëbuar së bashku me familjen pas 14 viteve që jetonin në Shqipëri, tashmë ka një pikë të fortë takimi. Tre personat e dëbuar nuk kanë nguruar të padisin në Gjykatë ministrin e Brendshëm, Bujar Nishanin, i cili ka firmosur dhe urdhrin për dëbimin e tyre.
Paditë
Paditë kundër ministrisë së Brendshme janë firmosur nga tre persona me origjinë nga vendet arabe, si Sudani dhe Kuvajti, të cilët janë detyruar të lënë Shqipërinë me urdhër të ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, përkatësisht më 15 mars dhe 17 qershor të këtij viti. Dy shtetas sudanez dhe një kuvajtjan, pavarësisht se kanë jetuar për disa vite në Shqipëri janë detyruar të largohen, madje në mënyrë të menjëhershme, pasi ministri i Brendshëm, ka vendosur një gjë të tillë pa dhënë asnjë shpjegim rreth motivacionit të këtyre urdhrave. Në pamje të parë këto histori të japin përshtypjen se nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, por është urdhri i dëbimit që i lidh te tre personat e fesë islame, që për më tepër kanë jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri. Misteri i të tri rasteve nuk është vetëm motivacioni i largimit të tyre, por në dy dëbimet e para është dhe ora kur ministri i Brendshëm ka firmosur urdhrin nr.960/1 të datës 15 mars 2008 për “largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë të dy shtetasve të huaj”. Nuk është saktësuar ende nëse ky urdhër që largonte nga Shqipëria shtetasit sudanezë Hanem Mohamed dhe Abdelaziz Ibrahim është firmosur para apo pas orës 12.00 të datës 15 mars, pasi pikërisht rreth kësaj ore Tirana dhe gjithë vendi u trondit nga shpërthimi i Gërdecit. Një gjë e tillë vazhdon të mbete ende mister edhe pse nga ajo ditë kanë kaluar rreth 4 muaj, ashtu siç vazhdon të jetë ende mister motivi i largimit nga Shqipëria të Drejtorit të Përgjithshëm të Komitetit të Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi, Ibrahim El Fakki. Burimet zyrtare të pyetura nga “Korrieri”rreth këtyre tre dëbimeve dhe kohën e tyre të saktë, e sidomos nëse kishte mbase dhe ndonjë lidhje mes tyre, kanë ripohuar vetëm atë çka dihej që më parë, se ministri mund të dëbojë të huajt në bazë të ligjit dhe nuk e ka detyrim ligjor që të japë motivacionin për masën e marrë.
Dëbimi i El Fakki
Kreu i Komitetit të Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi jetonte prej vitit 1994 në Shqipëri dhe ka luajtur një rol shumë aktiv në ndihmë të fëmijëve jetim, si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për familje në nevojë. Në një komunikatë, Shoqata Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi thotë se Ibrahim El Fakki në rolin koordinatorit të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri ka dhënë një ndihmë shumë të veçantë në suksesin e vizitës së Kryeministrit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë dhe të vizitave të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Kuvajt dhe në disa vende të Gadishullit Arabik. “Z. Ibrahim El-Faki në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin e Emergjencës për ngjarjen e Gërdecit, ka luajtur një rol në ndihmën që shteti i Kuvajtit akordoi nëpërmjet Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit, anëtare e Komitetit të Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi në Kuvajt, për fatkeqësinë e Gërdecit”- thuhet në komunikatën e Komitetit të Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi.
E vërteta “zbulohet” në shtator
E vërteta e largimit të tre shtetasve të huaj nga Shqipëria do të merret vesh vetëm pas muajit shtator. Të paktën një datë e tillë është vendosur nga Gjykata e Tiranës për shqyrtimin e kërkesë-padisë të shtetasin Ibrahim El-Faki, i cili kërkon anulimin tëresisht të aktit administrativ që i përket urdhrit nr.837 datë 17 qershor 2008 të Ministrisë së Brendshme Tiranë. Po ashtu në shtator do të zbardhet e vërteta e largimit edhe për dy të huajt e tjerë, të cilët duhet të kenë lënë Shqipërinë pak kohë pas 15 marsit me urdhër të ministrit të Brendshëm, i cili sipas ligjit për të huajt ka të drejtë të firmosë urdhër dëbimi apo largimi pa bërë publike asnjë arsye për një vendim të tillë.