E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Kosova, e gatshme për liberalizimin e vizave

Kryeministri Hashim Thaçi në vizitën e tij zyrtare në Bruksel është takuar me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, bën të ditur zyra për komunikim me publikun e Kryeministrit. Me këtë rast ai i ka prezantuar këtij të fundit arritjet e Kosovës dhe përkushtimet për të plotësuar kriteret për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, thuhet në një kumtesë të zyrës së Kryeministrit. 

Bëhet e ditur se gjatë takimit të Thaçit me Fulen bosht i diskutimeve ka qenë thellimi i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për perspektivën europiane, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja tregtare me BE-në. 

Kryeministri Thaçi ka theksuar përkushtimet e vazhdueshme të Kosovës për qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për respektimin afirmativ të komuniteteve. Ai ka prezantuar edhe të arriturat e vendit dhe përkushtimet për të plotësuar kriteret për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. “Kosova është në pritje të rekomandimeve të BE-së për pyetësorin për marrëdhëniet tregtare. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për pranimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, Kosova tashmë ka ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët e saj, si me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe është e interesuar të ndërtojë raporte të mira fqinjësore si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë, në shërbim të bashkëpunimit rajonal. 

Duke folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Thaçi ka kërkuar mbështetjen e Stefan Fules për arritjen edhe të një vote shtesë të nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar. Ndër të tjera, Kryeministri Thaçi është zotuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mirë me EULEX-in dhe Komisionin Europian, sidomos në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›