E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bujqësi, vetëm 4 nxënës kaluan

Nga 322 maturantët e shkollës së mesme të bujqësisë “Zenel Hajdini”, në Ferizaj, vetëm 4 nga ta kanë arritur ta kalojnë me sukses testin kombëtar dhe të fitojnë të drejtën për studime.

Këtë debakël të jashtëzakonshëm të nxënësve të kësaj shkolle, përgjegjësit e arsimit e kanë zor ta komentojnë.

“S’ka menaxhim të mirë në këtë shkollë. Vazhdimisht sjellin drejtorë partiakë. Pasqyra më e mirë është rezultati në testin kombëtar”, thotë profesori i biologjisë në këtë shkollë, Hasan Selimi.

Në Drejtorinë Komunale të arsimit e pranojnë se ky rezultat është tepër shqetësues.

Zyrtari në këtë drejtori, Musli Marevci, e pranon se nuk ka pasur menaxhim të mirë në këtë shkollë, por që këtë vit është përmirësuar dukshëm disiplina. “Është e vërtetë se në disiplinë ka ngritje, ndërsa në cilësi të mësimit ka rënie”, ka thënë zyrtari Marevci.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Agim Berisha, këtë rast e ka komentuar shkurt. “Duhet të bëjmë një plan të veçantë për ta ndryshuar gjendjen për të mirë”, ka thënë Berisha.

Sivjet, më shumë se 1800 maturantët nga komuna e Ferizajt kanë qenë për 10 për qind më të suksesshëm se vitin e kaluar.

Ata, në testin e maturës, kanë shënuar sukses pozitiv në shkallën prej 56 për qind. Edhe këtë vit më të suksesshëm kanë dalë të jenë nxënësit nga shkolla e mesme e mjekësisë “Elena Gjika” dhe ata të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›