E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, Katallani dhe Qerosi

Nga  Koloreto Cukali

Dyshja e Qerosit dhe Katallanit më shumë sesa një përrallë gjumi për fëmijët është një nga dëshmitë e psikës sonë kombëtare. E ndërsa dyshoj që askush nuk u tregon më fëmijëve të tilla përralla, versionet moderne të Qerosit e Katallanit vënë në gjumë tërë ditën popullin televiziv. Përralla vjen në variacione të shumta, Katallan apo Kuçedër, por thelbi mbetet përherë i njëjti.

Drejt guvës së gjarprit

Në të gjitha versionet e kësaj përralle, Katallani është i keqi, ai që i pret ujin fshatit, merr vajzat, apo bën një të ligë që prek tërë komunitetin. Nga ana tjetër, fshati/populli/komuniteti i është nënshtruar tërësisht vullnetit të Katallanit, dhe vetëm e urren në heshtje, i pafuqishëm. Panorama deri këtu ju duket familjare, besoj. Shumë familjare. Në të tëra nivelet e shoqërisë kemi pafund katallanë të niveleve të ndryshme, që nga pronarët e firmave, te feudalët e bashkive e komunave, drejtorët e drejtorive, ministrat e kryeministrat.

Por, në ndryshim nga realiteti ynë, në përrallë hyn në lojë Qerosi. I zgjuar, i shkathët, përfaqësues i vuajtjes popullore, ai ia gjen anën përherë të ligës dhe e vret Katallanin duke e shpëtuar fshatin/popullin/komunitetin/shoqërinë. Po të ketë vajzë në përrallë, normal që Qerosi e merr atë për vete. Cut. Këtu pritet filmi.

Askush nuk e thotë çfarë ndodh më vonë me personazhet. E, kam idenë që pakkujt i intereson. Dëgjuesit e përrallës kanë vetëm një merak, të marrin vesh a do ta vrasë Qerosi Katallanin.

Demonë dhe engjëj

Realiteti ynë socio-politik është thjeshtuar shumë, si kjo përrallë. Gjithçka e ndajmë në i mirë/i keq, ai që na bllokon ujin/ai që na e zhbllokon ujin, ai që na vret/ai që vret atë që na vret, engjëj/demonë. Që këtej është kollaj që, ashtu si në rastin e përrallës, e keqja të personifikohet me 1 njeri të vetëm, me një individ. Kjo e bën më të thjeshtë koncentrimin e urrejtjes në fshatin tonë të madh.

Për shembull, nuk mund të rri pa vënë re një demonizim të Kryeministrit. Kjo ndjesi përftohet duke parë komentet në blogje, duke dëgjuar deklaratat publike të politikanëve, duke lexuar analizat e kundërshtarëve të tij. Kjo ka bërë që rreth figurës së Kryeministrit të ngrihet miti i një demoni, gjithsesi i gjithëpushtetshëm, mbi të cilin duhen zbrazur tërë mëritë, urrejtja, sepse ai personifikon të keqen maksimale.

Që në këtë rresht, e di sesi po u erren sytë shumë vetëve që sbesoj se do ta çojnë dot deri në fund Tartën, por dhe po e lexuan nuk do të lexojnë më me mendje, por me sy, për të zbrazur mllefin te komentet në fund.

Pikërisht kjo, është simptomë e qartë e problemit, për të cilin dua të flas. Demonizimi i një personi, nuk e zgjidh problemin.

Demonët

Unë nuk dua ta shfajësoj Kryeministrin nga përgjegjësitë e veta. Ai ka rol qendror në gjithçka ndodh në këtë vend. Aq më tepër që unë nuk e harroj Gërdecin. Por demonizimi i tij nuk zgjidh asgjë, përkundrazi. Demonizimi, sjell krijimin e një kategorie që sheh vetëm bardh e zi. Një kategori që më tremb se e shoh që sa vjen e rritet dhe që ka prirjen ta reduktojë realitetin te përralla Qeros/Katallan. Dhe fundi i pritshëm për ta është që Qerosi duhet ta vrasë Katallanin. Kësaj kategorie të tjerat u duken dokrra. Ata përdhosin këdo tjetër që nuk është kundër armikut të tyre. Kjo kategori njerëzish është baza, mbi të cilën mbështeten katallanët e së ardhmes.

Tek Austin Powers, Mini-Me më duket barabar i lig e problematik sa dhe E Keqja e Madhe, Dr. Evil. Prandaj, mendoj se demonizimi i një personi i lë të kalojnë pa lagur ata që e mbajnë këtë individ në pushtet, ata që i shërbejnë, ata që e votojnë. Nëse Katallani bie merr përsipër dhe mëkatet e tyre.

Demonizimi, na bën të merremi me individin e jo me sistemin që e mban në këmbë. Kuçedrën e mban në këmbë rrethi i mini-Kuçedrave, mentaliteti kuçedëror i shoqërisë dhe individëve, dhe mbi të gjitha, zgjidhjet alla-kuçedërishte.

Demonizimi, po krijon aradhet e atyre që janë gati të sulen në luftë kundër Demonit me nervin që u pulson në ballë. Duke u krijuar një demon përpara, është kollaj ti mobilizosh. Ata janë gati të godasin pa argument, pa mëshirë këdo, mjafton tu thuash, ky është me demonin! Janë legjionet e naivëve, me të cilët ndërtohen diktaturat.

Demonizimi, përveç trupave bardh-e-zi, po prodhon edhe antitrupat zi-e-bardh. Ata që mendojnë që Qerosi që do të vijë është Kuçedra e vërtetë!

Demonizimi i Kryeministrit, nuk na lë të shohim që krejt struktura shoqërore është kalbur. Ngjan se po të ikë një person, ne që mbetemi do të jetojmë të lumtur si në përrallë. Por bardh-e-zija e tyre është e paaftë të shikojë problemin real, lëre më, se çdo të ndodhë më pas. Mendojnë se me vrasjen e Katallanit do të shpëtojmë nga e keqja. Nga urrejtja për demonin, janë gati të pranojnë të parin Qeros që kalon rrugës. Në mendje  një neuron i vetëm bën vetëm një pyetje: A do ta vrasë Qerosi Katallanin?

Engjëjt

Një komentues në një blog ngrinte një pyetje interesante (ose mua më pëlqen ta konsideroj pyetje): A duhet të bësh aleancë fluide me djallin për të vrarë bishën? E shtruar në kontekst historik, a duhej të bënte Çurçilli aleancë me Stalinin për të vrarë Hitlerin?

Plot spekulime interesante mund të bëheshin këtu. A do të kish mbijetuar Stalinizmi aq gjatë e me aq shumë vuajtje e viktima nëse aleanca fluide nuk do të ishte bërë? A është vetë Çurçilli një engjëll?

Por, përtej spekulimeve, realiteti politik shqiptar dhe përvoja botërore na tregon që engjëjt nuk ekzistojnë. Të paktën, jo engjëjt që një ditë do të kenë poste dhe të drejtë firme për tendera.

Shpresat tek engjëjt për të luftuar demonët, vetëm i mbajnë demonët më gjatë në pushtet ose i zëvendësojnë me të tjerë. Para se të vritet Katallani, duhen gjetur mënyrat që sistemi të mos jetë i dobët ndaj katallanërisë.

Por Qerosi nuk ka këtë plan, se është Qeros. Të tërë presin nga ai që të vrasë Katallanin. Dhe ai nuk di të bëjë më shumë se kaq. Ai bën aq sa di e aq sa i kërkojnë të bëjë. Ai varet nga fanatikët e video-përrallës.

Video-përralla

Fenomeni i Demonizimit të një personi, në këtë rast i Kryeministrit, është ndërtuar në masë të madhe nga mediat. Arsyet mund të jenë të shumta, për kollajllëk, për ta thjeshtuar problemin para publikut që aq kupton, për paaftësi, se ashtu e mendojnë, për ti bërë nder dikujt, për ti shërbyer dikujt tjetër, kot për qejf apo kot për para.

Media ka formatuar politikën dhe është formatuar prej saj, dhe së bashku i kanë bërë një lavazh të thellë popullit të pasionuar pa video-përrallës.

Realiteti ynë politik ka prodhuar non stop figura që kanë luajtur Qerosin e Katallanin me radhë, para publikut. Kur Berisha ishte Katallan, Nano ishte Qerosi; Kur Nano ishte Katallani, Meta ishte Qerosi, Kur Meta u bë Katallani, Nano u bë prapë Qerosi, pastaj Kur Nano doli sërish Katallan, Berisha prapë Qerosi… Tani, po presim Qerosin e radhës.

Në pritje të tij, ajo që po humbet është e vërteta. Për të mbajtur lart figurën e shpëtimtarit Qeros, të vërtetat po reduktohen, po humbin. Problemet po thjeshtohen, po bëhen qesharake.

Ankthi sesi do të mbarojë përralla po prodhon kalorës të rremë të së vërtetës. Të vërtetën as nuk mund ta flasësh më, nëse nuk futet dot në shabllonin Qerosi vs Katallani.

Por, çfarë do të ndodhë nëse Qerosi e vret Katallanin?

Post-Qerosiana

Përralla është e saktë. Në çdo lloj versioni, Qerosi e vret Katallanin. Ajo që ndodh më pas nuk ka shumë vështirësi të imagjinohet.

Qerosi mbulohet me lavdi, uji i fshatit (a vajza e kapur peng) çlirohet. Emri i tij arr

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›