E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një takim me Mithat Frashërin

Nexhmije Hoxha

Nexhimje Hoxha

Edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur bashkëpunim gjatë luftës, mes partizanëve dhe nacionalistëve ka pasur takime të shumta dhe negociata. Një grup special i partizanëve, mes të cilëve edhe e reja Nexhmije Xhuglini, kryenin takime të shpeshta me nacionalistët. Në këtë kapitull të librit Nexhmije Hoxha rrëfen për takimin me Mithat Frashërin:

…Kjo, sot, për dikë mund të tingëllojë si një gjë e pazakontë, por në politikën dhe praktikën e komunistëve në kohën e Luftës, një nga drejtimet primare në punën e tyre ka qenë kontakti me personazhet nacionaliste, veçanërisht me ata që kishin një të kaluar patriotike dhe njëfarë ndikimi në rrethin shoqëror, ku punonin a banonin. Në këto kontakte, atyre u bëheshin dy oferta kryesore: ti bashkoheshin Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, për tu bërë pjesë, sipas gjendjes dhe vullnetit të personit, në këshillat nacionalçlirimtarë ose në njësitet partizane, me armë në dorë. Mes tyre kishte persona në gjendje të mirë ekonomike, si tregtarë e pronarë, që ofroheshin të ndihmonin luftën nacionalçlirimtare, por që nuk donin të dekonspiroheshin. Në punën me nacionalistët, sidomos me disa personazhe të rëndësishëm politikë, nuk mund të merrej çdo komunist, por duhet të them se në rrethin e shokëve që punonin me nacionalistët, kam qenë edhe unë…

Në një mbledhje, që u bë në shtëpinë e Ruze Frashërit, e martuar me Malo Frashërin, të dy antifashistë dhe patriotë të palëkundur, ku merrja pjesë dhe unë, Ruzja kishte ftuar edhe të bijën e Mehdi Frashërit… Nuk e di nëse u bë shkas ajo apo ndonjë nga nacionalistët që më kishin parë në Konferencën e Pezës, që një ditë (nuk e mbaj mend datën e saktë, ndoshta në mars-prill 1943) më erdhi një ftesë për një takim me Mithat Frashërin, në shtëpinë e vajzës së Mehdi Frashërit.

Shtëpia e saj, një shtëpi e zakonshme, ishte në Rrugën e Elbasanit, në kthesën që kalon në krah të vilës së Josif e Gramoz Pashkos dhe të çon në konviktet e Universitetit të Tiranës. Me lejen e shokëve të KQ të Partisë, shkova në takim. Isha e ngarkuar me shumë emocion dhe po sillja ndër mend kur, së bashku me shoqe të Institutit Femëror Nana Mbretneshë, ktheheshim shpesh në librarinë e Lumo Skëndos, jo vetëm për të blerë ndonjë libër apo mjet shkollor, por më shumë për të parë atë, të birin e Abdyl Frashërit.

Kur hyra në atë shtëpi dhe u ndodha para tij, tek ai nuk gjeta atë imazh që kisha fiksuar në kujtesë: atë të një burri me pamjen krenare të një fisniku, aristokratin me trup të drejtë, veshur me redingotë gri, me këmishën me jakë të ngrirë, me kravatë papijon dhe me syzet pince, që mbështeteshin vetëm në hundë; i qetë dhe kurdoherë me mirësjellje dhe i gatshëm, në këmbë, për të plotësuar kërkesat e klientëve, shpeshherë të pavendosura në zgjedhje. Kjo nuk ngjante se unë tani po e shihja me një sy tjetër, si kryetar i Ballit Kombëtar. Jo, përkundrazi. Mbeta ca e hutuar, sepse mu duk tjetër njeri: i veshur me një kostum civil, me këmishë të bardhë e kravatë, të gjitha të pastra, por… si mjaft të përdorura, mu duk më i shkurtër, pak i kërrusur dhe me fytyrë të vrarë, si i lodhur a i sëmurë.

Pasi u përshëndetëm dhe u ulëm ballë për ballë, me një tavolinë në mes, unë, si vajzë e re, prita që ta hapte ai bisedën. Më pyeti nga isha, kur kisha ardhur në Tiranë, kë kisha në familje dhe pyetje të tjera të kësaj natyre. Pas përgjigjeve të mia, kur i thashë se në shtëpi më kishin mbetur vetëm prindërit, se unë vetëm pas katër muajve si mësuese, për ti shpëtuar arrestimit dhe dënimit në mungesë me 14 vjet e gjysmë burg, kisha kaluar në ilegalitet, po kështu edhe vëllai, që ishte dy vjet më i vogël nga unë… ai më ndërpreu: Po ja, e sheh? Jeni shumë të rinj për të bërë një jetë të tillë e me shumë rreziqe, burgje, tortura.

E dëgjova, e dëgjova, pastaj unë mora fjalën dhe i thashë: Po kush do ta luftojë pushtuesin fashist, që na ka shkelur vendin, po sluftuan të rinjtë? Është radha e tyre. Kurse brezi juaj e ka bërë detyrën atdhetare, ne, të rinjtë, presim vetëm mbështetje e fjalën e urtë të baballarëve tanë… Nuk mbaj mend çi kam thënë tjetër, veç këto i thashë me qetësi dhe pa e ngritur zërin dhe, kur ndjeva se nuk kisha çtë thosha tjetër, kërkova lejë të largohem. E falënderova për takimin dhe, duke i zgjatur dorën, i urova shëndet

Për çfarë u diskutua në Konferencën e Pezës

Vijon nga dje

Partizania e re Nexhmije Xhuglini është zgjedhur të përfaqësojë gratë në ngjarjen e njohur si Konferenca e Pezës. Në këtë konferencë përplaseshin për herë të parë nacionalistët e regjur me negociata dhe komunistët e ri, të cilët kishin në krahun e tyre luftën. Detyra e Xhuglinit ishte të mbante procesverbalin e mbledhjes. Ja si e ka përshkruar ajo situatën në librin me titull Lufta jonë çlirimtare:

…Siç është e njohur, në Konferencën e Pezës mori pjesë edhe Abaz Kupi, i quajtur edhe Bazi i Canes. Ai kishte ardhur aty me shpurën e tij prej 5-6 vetash. Kishte një trup mesatar, mund të them, të shkurtër dhe ishte më i madh në moshë se Haxhi Lleshi. Në kokë mbante një qeleshe krutane, kurse xhaketën e kishte ushtarake. Nga të gjithë nacionalistët ky qe i fundit që u largua nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Ai u zgjodh edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, duke bërë lojën e tij të dyzuar të një fshatari bajraktar analfabet, por dinak, i mësuar me intriga politike dhe aleanca fiktive, ashtu si mbreti i tij. Në fillim, nacionalistët ishin të përmbajtur, të vëmendshëm, për të kuptuar se çdo të bëhej, si do të zhvilloheshin bisedimet; si do të trajtoheshin ata nga komunistët…

Ishte kjo situatë luftarake e krijuar në vend, që i detyroi nacionalistët të ulen në tryezën e bisedimeve të bashkimit dhe në fillim të bënin deklarata me lëvdata joshëse. Më karakteristike qe fjala, e përgatitur me shkrim, e delegatit të Rinisë nacionaliste, Halim Begeja, të dërguarit të Mithat Frashërit, e cila i është bashkëngjitur procesverbalit të mbledhjes, të cilin e kam mbajtur unë. Është pikërisht ai Halim, që pas 5 vjetësh nga kampet e italianëve për të ikurit nga vendi, dha një intervistë për Konferencën e Pezës, intervistë me të cilën unë replikoj në këtë libër.

Në diskutimin e tij në Konferencë, H.Begeja, ndër të tjera, deklaron: Pohojmë se përpara Partisë Komuniste aktiviteti ynë asht nji nulitet. Deri sot ndoshta nuk kemi ba gja, por që sot e tutje neve do të jemi gati në sabotime e spastrime kudo që të vendosi këshilli. Edhe ne kërkojmë të vendosim një formë qeverimi që don populli. Disa mund të thonë që komunizmi do na vijë. Në qoftë se komunizmi invadon botën, të gjithë nacionalistët të ngrihen me mitraloz smund të bajnë asgja. Gjithashtu, nacionalizmi nuk mund të pengohet nga komunizmi. Në qoftë se populli zgjedh komunizmin, ne do të respektojmë vullnetin e tij. Deklarata të çuditshme këto nga një i deleguar i politikanit të njohur, me përvojë shumëvjeçare, Mithat Frashërit (?!).

Në Konferencë u ngritën çështje politike, për disa prej të cilave pati mirëkuptim dhe për disa të tjera u zhvilluan debate. U ngrit çështja e regjimit që do të vendosej në Shqipëri pas luftës. Një nga delegatët hodhi idenë që të shpallej si formë e regjimit Republikë Demokratike. Por kjo u hodh poshtë nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste, duke e argumentuar se një parullë e tillë nuk do ti shërbente bashkimit të të gjitha forcave në luftë, ndaj u tha: Forma e regjimit ti lihet popullit të vendosë. Abaz Kupit i erdhi mirë për këtë dhe deklaroi:

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›