Në Malishevë u promovua digjitalizimi i testit të maturës

Sot në Malishevë, në shkollën profesionale, Qendra e Kompetencës, ka qëndruar zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHTK), Nehat Mustafa dhe përfaqësuesit e kompanisë “BIT” nga Austria, të cilët janë pritur nga drejtori i arsimit në Malishevë, Isuf Morina, ku qëllim i kësaj vizite, ishte promovimi i projektit për digjitalizimin e testit të maturës.
Projekti për digjitalizimin e testit të maturës, është nënshkruar, ditën e djeshme, mes MASHTK-së dhe kompanisë fituese të këtij projekti “BIT” nga Austria, e cila do ta realizoj këtë projekt, të financuar nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të implementimit të rekomandimeve të strategjisë “Agjenda Digjitale për Evropë”, e Komisionit Evropian, që ka të bëjë rritjen e cilësisë.
“Kosova, është vendi i parë në rajon, që ka filluar me këtë projekt dhe deri më 2016, ky projekt do të realizohet, pasi këtë vit kemi filluar me prezantimin e projektit, vitin e ardhshëm do të bëjmë realizimin e pilot projektit dhe në 2016 do të filloj edhe realizimi i tij”, tha zv. ministri i MASHTK-së, Nehat Mustafa.
Zëvendësministri Mustafa dhe drejtori i arsimit në Malishevë, Isuf Morina, kanë biseduar edhe për çështje të tjera në arsimin e Malishevës, për problemet që ekzistojnë, për derisa nga ana e drejtorit Morina,”arritjet e përgjithshme në arsim, janë të jashtëzakonshme dhe këtë e dëshmon edhe përzgjedhja e Qendrës së Kompetencës, si model për prezantimin e këtij projekti për digjitalizimin e testit të maturës”.
Zv. ministri Mustafa dhe përfaqësuesit e kompanisë “BIT” nga Austria, janë pritur nga udhëheqja dhe mësimdhënësit e Qendrës së Kompetencës në Malishevës, para të cilëve, edhe është bërë prezantimi i projektit për digjitalizimin e testit të maturës. /Indeksonline/