E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Shijon të Elbasanit, festohet dita e Shën Joan Vladimirit

Fshati Shijon i Elbasanit është kthyer sërish në një qendër pelegrinazhi, ku mijëra besimtarë nga Shqipëria dhe vendet fqinje kanë festuar “Ditën e Shën Joan Vladimirit”. Në këtë vend të shenjtë, ku dikur ruheshin lipsanet e princit martir, Pelegrinët kanë kaluar natën, duke ndezur qirinj e duke lutur për shëndet, begati dhe mrekulli.

Mesha solemne u drejtua nga Kryepeshkopi Imzot Joani, i cili përcolli urimet më të mira për paqe dhe mirësi në jetën e të gjithë besimtarëve.

“Ky është një bekim i madh për vendin, për ne dhe për të gjithë kishën tonë sepse vijnë vizitorë nga i gjithë Ballkani për të nderuar këtë shenjtë”, u shpreh Kryepeshkopi Joan.

 Të pranishëm edhe përfaqësues të komunitetit malazez, të cilët e konsideruan këtë ditë si një ngjarje shumë të rëndësishme për ruajtjen e traditave dhe bashkëpunimin ndërkulturor.

“Një figurë shumë ë rëndësishme fetare dhe historike për ne minoritetin malazezë që jeton në Shqipëri”, u shpreh Marinko Culafik, përfaqësues i komunitetit malazez.

“Figura e Shën Vladimirit është një figurë që lidh popujt tonë, lidh njerëzit, lidh besime”, u shpreh Ivan Jovoviç, president i institucionit kulturor amza malazez.

Ky kremtim i përvitshëm në manastirin e Shën Joan Vladimirit përçon mesazhin e besimit, bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve, duke forcuar lidhjet shpirtërore dhe kulturore në rajon.

Gazetar: E.Molla

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›