E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Strugë kanë nisur mbrëmjet e poezisë, nuk respektohet shqipja

Në Strugë kanë nisur mbrëmjet e poezisë, të cilat do të vijojnë deri më 25 gusht. Edicioni i 52 i këtij festivali ka mbledhur në këtë qytet poetë nga vende të ndryshme të botës. Festivali nisi me mbledhjen e fidanit në Parkun e Poezisë për nder të laureatit të këtij viti, poetit meksikan, Hoze Emilio Paçeko, dhe me leximin tradicional të poezisë “Malli për jugun”. Përveç poetëve nga Maqedonia, në edicionin e 52-të të MSP marrin pjesë rreth 50 poetë nga Bullgaria, Greqia, Anglia, Gjermania, Egjipti, India, Japonia, Izraeli, Kina, Rusia, Polonia, Spanja, Kuba etj., transmeton Shqip.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, e ka bojkotuar këtë vit festivalin me arsyen e mosrespektimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Strugë nga ana e organizatorëve të festivalit. “Imagjinoni që në një manifestim ku marrin pjesë poetë nga gjithë bota, ku flitet gati në të gjitha gjuhët e botës dhe nuk lejohet të flitet në gjuhën shqipe, në një qytet ku shumica janë shqiptarë. Prandaj, ne nuk e përkrahëm, unë nuk do të marr pjesë as në hapje e as në mbyllje, por jam i gatshëm të pres delegacione dhe poetë që duan individualisht të më takojnë, ndërsa me ata të cilët nuk respektojnë gjuhën që unë e flas, nuk do të bashkëpunoj”, theksoi Sela. Sipas tij, nëse vitin tjetër nuk respektohet gjuha shqipe, nuk do të lejohet që ky festival të mbahet në Strugë, në qoftë se nuk respektohet vullneti i popullatës shumicë në Strugë. “Është çështje dinjiteti dhe çështje respekti, por edhe çështje e respektimit të ligjit. Unë asnjëherë nuk kam thënë që ky ligj për përdorimin e gjuhës është i mjaftueshëm dhe i plotëson nevojat e qytetarëve, por ja edhe rasti konkret që edhe ky ligj gjysmak nuk respektohet”, është shprehur kryetari i Komunës së Strugës.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›