E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: “Po goditet liria e medias”



Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas masave të ndërmarra nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve ndaj Televizioneve “Vizion Plus” dhe “News 24”, të cilat transmetuan spotin e G99-s, që denonconte spotin e kopjuar të kryeministrit Berisha. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me anë të një deklarate për shtyp, i ka cilësuar këto masa në kundërshtim me ligjin, ndërsa ka shprehur shqetësimin për cenimin e lirisë që po pësojnë mediat në Shqipëri. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit, si një organizatë e angazhuar në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese, mbas shqyrtimit dhe verifikimit të kësaj çështjeje, konstatoi se në nenin 55 të Ligjit Nr. 8410, dt. 30.09.1998, përcaktohet lloji i reklamave, transmetimi i të cilave nuk lejohet as nga radiot dhe as nga televizionet, ndërsa në pikën 8 të këtij neni thuhet tekstualisht se “ndalohen reklamat e partive ose shoqatave politike, përveç rasteve të parashikuara në ligjet elektorale”. KSHH e shikon të nevojshme të theksojë se në një vend demokratik, liria e fjalës dhe e medias, e informacionit dhe informimit të publikut janë sanksionuar në Kushtetutë. Në këtë vështrim, veprimtaria radiotelevizive duhet të respektojë paanshmërinë, bindjet politike, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut etj. Sipas nenit 4 të Ligjit Nr. 8410, veprimtaria radiotelevizive nuk lejohet të cenojë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin kombëtar. KSHH mendon se funksionarët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, për vetë postet që kanë, që u janë besuar dhe që i kanë pranuar, duhet të jenë të hapur ndaj vërejtjeve dhe kritikave. Në disa vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, lidhur me këtë çështje, bie në sy qëndrimi konsekuent se nga personat e mësipërm kërkohet tolerancë ndaj kritikave që atyre u adreson media, edhe në ato raste kur ato (kritikat), konsiderohen të ashpra, madje edhe të tepruara. Ata i kanë të gjitha mjetet dhe mundësitë që të përgënjeshtrojnë pasaktësitë apo të pavërtetat, por në të njëjtën kohë edhe të reflektojnë”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›