Në UP identifikohen 60 profesorë me dy kontrata pune

Profesorët, të cilët janë të identifikuar nga rektorati i Universitetit të Prishtinës se kanë dy kontrata të rregullta pune, do të vazhdojnë punën në universitet deri në fund këtij semestri, për arsye që të mos pengohet procesi mësimor.
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës tashmë i ka identifikuar rreth gjashtëdhjetë punëtorë të vet që kanë edhe një kontratë të rregullt pune në ndonjë institucion tjetër, transmeton KTV.
Nëse një profesor, mësimet në universitet i përzgjedh me gjysmë orari, duhet të marrë leje speciale me shkrim nga rektori, mirëpo orët do t’i mbajë të njëjta sipas plan-programit, por pagën do ta ketë të përgjysmuar.
Se personeli i Universitetit të Prishtinës në marrëdhënie të rregullt pune, nuk mund të ketë kontratë tjetër të punësimit e thotë edhe neni 170, pika e parë e statutit të Universitetit të Prishtinës.
UP-ja ka vendosur që t’i kushtëzojë këta profesorë dhe të zgjedhin vetëm një kontratë, ndërmjet UP-së ose institucionit tjetër. /Indeksonline/