E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në administratë, vetëm me biografinë e “Nanës Parti” *

Dr. Milena Harito/kandidate e PS-së, Tiranë

-Duket se megjithë zullumet që Sali Berisha i ka bërë Shqipërisë dhe trevave shqiptare që  prej vitit 1992, ende ruan aftësinë për të na habitur. Nuk po flas për rrahjet e përfaqësuesve të opozitës në vitin 1996, as për rezultatin bolshevik të zgjedhjeve të po atij viti, as për "paratë e pastra të shqiptarëve" të depozituara e të humbura tek Sudja, as për përgjegjësinë e luftës civile në vitin1997. As për shitjen e pasurive të vendit, tenderët e dështuar, shitjen e detit. As për trajtimin e UÇK-së si "bandë komunistësh", as për bllokimin energjetik që i kushton çdo ditë Kosovës. As për  dhunën verbale të vazhdueshme, shpifjet, gënjeshtrat që e kanë transformuar lirinë e fjalës në Shqipëri, në inflacion fjalësh të pavlera, ku çdo e vërtetë barazohet me çdo gënjeshtër. Madje as për vrasjen dhe plagosjen më 21 janar 2011 të qytetarëve të vet, të paarmatosur që prej dritareve të kryeministrisë. 

Sot më duket e domosdoshme të flas për përdhosjen e administratës. Përdhosje që në këto ditë të fundit të regjimit të Sali Berishës po arrin në përmasa groteske. 

Çdo ditë, absolutisht çdo ditë mua personalisht, më vjen dikush e më thotë që e kanë hequr nga puna si mësuese, si edukatore në çerdhe, nga ÇEZ, nga bashkia. Operacioni "Fshesa" do ta kishte zili  dhunën, që kryeministri i Shqipërisë po ju bën qytetarëve të vet. Gjithë administrata shtetërore dhe ndërmarrjet në administrim të shtetit duket se tashmë shihen si pronë ekskluzive e Partisë së ashtuquajtur Demokratike, të cilën propozoj ta riemërtojmë "Nana Parti". Ose je militant i sigurt e i konfirmuar, ose dil në rrugë. “Shteti nuk është shtet i shqiptarëve, por është prona jonë”,- duket se pohon çdo ditë qeveria në grahmat e saj të fundit të panikut. Ndër ata që mbeten në administratë, ende të paidentifikuar si "komunistë", disa herë në javë më vjen fshehurazi ndonjë. Takim incognito, “mundësisht në vend jo publik aman,  se na lanë pa bukën e gojës”, për të më lajmëruar se e thërrasin me zor për të mbushur zyrat e trishtuara elektorale të "Nanës Parti", ose se i kanë thirrur me apel në mitingun e kryeministrit-kryetar i PD-së, ose se i kanë kërkuar të sjellë 40 vota që të ruajë vendin e punës. Shkoni në zyrat e tyre elektorale ju them, madje edhe buzëqeshni, votën tuaj e keni ju vetë në dorë. Le të besojnë edhe disa ditë se janë të fuqishëm. Të mos harrojmë votuesi që votojnë për herë të parë, tek të cilët, nuk kuptohet përse, PD-ja ka vënë gjithë shpresat e saj. Mbase i di më pak të ndërgjegjshëm se pjesa tjetër e shoqërisë ? Më të influencueshëm ? Sidoqoftë,  drejtorët e arsimit, janë mobilizuar për të hequr mungesat e maturantëve në shkolla e për t’u premtuar degën që duan në universitetet shtetërore. Hiç mos u influenconi  ju them. Nëse këta të paskrupujt ju propozojnë t’ju fshijnë mungesat, le t'ia u fshijnë. Votoni atë çka ju thotë ndërgjegjja juaj. Mësuesit e shkretë, që kanë qenë njerëzit e adhuruar të fëmijërisë tonë, i ka zëvendësuar me militantë të pakualifikuar, duke i bërë qesharakë para nxënësve të tyre,  i ka hedhur në rrugë pas dhjetëra vitesh eksperiencë, ose atyre që i kanë shpëtuar operacionit "Fshesa",  u ka kopsitur gojën.  

A e imagjinoni që pas 22 vjetësh demokraci, gjithë administrata shtetërore të jetë e detyruar të mbyllë gojën ose të militojë për "Nanën Parti" si në kohën e agjitacion-propagandës? 

Mbase e kishte ende një mundësi të largohej nuk po them me nder, por të paktën me njëfarë dinjiteti. Duket se ashtu si të gjitha shanset e tjera që i dha karriera e gjatë politike, ai e humbi edhe këtë rast. Duke ju treguar gjithë të larguarve nga puna dhe familjeve të tyre, si edhe të gjithë shqiptarëve, nëse ata e kishin harruar, se çfarë është në gjendje të bëjë Sali Berisha.

*Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›