Në artin e Evropës me Fustanin e nusërisë

Autoportret, 2011, akrilik
Elsa Demo
Muzeu Historik Gjerman i Berlinit është duke përgatitur një ekspozitë madhështore për nga pjesëmarrja e artistëve e veçanërisht për tematikën dhe epokën që rrok: Kritikë dhe kriza. Arti në Evropës pas 1945-ës. Organizohet nën kujdesin e Këshillit të Evropës, prezantohet në tetor 2012 dhe kurohet nga prof. dr. Monika Flacke e cila ka shpallur qëllim që theksi të bjerë në pozicionin kritik të artistëve ndaj shoqërive ku kanë jetuar. Kështu që është shmangur ajo pjesë e artit që pas vitit historik 1945 u shenjua nga ideologjia.
Veprat e zgjedhura, afro 230 nga gjithë vendet e Evropës, – nga Portugalia në Rusi, nga Skocia në Shqipëri dhe Greqi, – janë shprehje vizuale e ideve dhe koncepteve që kanë një potencial për ndryshimin e botës. Kjo do të thotë që origjina kombëtare e artistëve, kronologjitë dhe shkollat artistike nuk kanë rëndësi.
German Historical Museum ka bashkëpunuar me një rrjet muzesh të artit, galeri dhe institute në përzgjedhjen e artistëve. Ekspozita qarkullon gjatë 2013-ës në Muzeun Kombëtar të Varshavës, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Beograd dhe në Palazzo Reale në Milano.
Edi Hila prezanton Shqipërinë me tablonë Fustani i nusërisë, nga seria Anash rrugës, ose ndryshe peizazhe të tranzicionit, realizuar në vitet 2007-2009. Objekti në fokus është një veshje nuseje në një parvaz, përbri një derë e hapur mbrapa. Si duket kuratorja e ka parë të duhurën për temën e ekspozitës. Shekulli boton një fragment nga teksti i Edi Mukës mbi këtë vepër dhe profilin artistik të Hilës. I plotë ai do të botohet në katalogun e ekspozitës. Tabloja ndodhet e ekspozuar në Galerie JGM në Parisë ku Hila punon.
Në këtë bisedë Edi Hila evokon shqetësimet estetike nga rënia e diktaturës, dhe udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit, për të parë ekspresionistët gjermanë.
Fustani i nusërisë është pjesë e ciklit objekte anash rrugës, që ju nuk e keni ekspozuar në Shqipëri. Është peizazh nga tranzicioni?
Që në periudhën e fillimit të tranzicionit shqiptar u krijua një situatë e çuditshme figuracioni përmes objekteve të arkitekturës, përmes atmosferës që krijonin rrugët në Shqipëri. Nëse ju kujtohet, tipike ishte rruga nga Instituti Bujqësor deri në Kamëz me objekte që përdoreshin për të tjera funksione. Për shembull, një kapak dritareje i kishin vënë disa listela dhe tregtonin kaseta muzike. Ishte një fenomen jo i shkëputur që lidhej me idenë e ekonomisë paralele. Shteti zhvillon një ekonomi të caktuar sipas interesave të veta, ndërsa njerëzit në mënyrë pavarur, për të mbijetuar, bëjnë një ekonomi të inventuar. Fenomeni mbështetej në zgjidhje të papritura, me fantazi, siç ishte rasti për të shitur ose dhënë me qira, veshjen e nuses përpara shtëpisë. Ose akuariumet e peshqve rrugës për në Pogradec…
Ose kafshët në allçi për dekoret e shtëpive dhe oborreve…
Ose një mjedis i përdorur për garazh ku ishte vendosur një makinë e vjetër që prodhon akullore. Dukej si një tanks, si një objekt lufte i çuditshëm. Gjurmova momente të kësaj natyre dhe përfundova një seri në 1 vit e gjysmë. Me siguri që mjedisi ynë vazhdon ti këto objekte, por unë e lashë me kaq. Më mbaroi emocioni.
Si elemente konkrete ato janë kitsch, të zakonshme, të rëndomta, si ndodh që në pikturën tuaj të shndërrohen në bartëse të një realiteti shumëplanësh?
Ka shumë ferment jeta jonë, me ndodhi, me ngjarje, madje ka dhe një ekspresivitet që e ke kudo që të hedhësh sytë, që lidhet me të shëmtuarën, me dekadencën. Po të shohësh Tiranën, nuk e kam fjalën vetëm për arkitekturën e ndërtesave të reja, por në përgjithësi, ajo çka ka mbetur në lagjet e qytetit, ka një strukturë arkitektonike që të çon në një siluetë peizazhi i veçantë, sepse është ndërtuar mbi bazën e asaj që thotë një shprehje e popullit: shto ujë, shto miell, shto ujë. Në këtë mënyrë përçudnohet trajta fillestare e një objekti dhe kjo është pikërisht dekadencë. Besoj se ka shumë vend për të zbuluar nga pjesa e kësaj energjie që është gjoja ndërtuese e në të njëjtën kohë është shkatërruese. Këtu ndodh ajo që më intereson mua në kuptimin e formës. Edhe pjesa tjetër e jetës sonë, po ti hyjmë problemit të demokracisë, të shtetit, ka shumë situata dekadente, që janë të prishura, që nuk ndërtohen dot. Nga këtej dalin probleme specifike për një vend vetëm si Shqipëria. Kjo më ka bërë që unë të insistoj, të zbuloj nga realiteti këtë moment.
Si ekspozitë që rrok artin në një epokë historike që erdhi me Luftën e Ftohtë dhe vazhdoi me paskomunizmin, do të kishit dashur tjetër prezantim, me një punë të para nëntëdhjetës?
Nuk besoj. Punët e para nëntëdhjetës kanë qenë ndërtuar me tjetër koshiencë profesionale e cila kishte më shumë shqetësimet për të arritur një pikturë në nivelet më tepër të zanatit, të gjetjes së një rruge. Ka qenë dhe një periudhë hulumtimi brenda vetes. Kurse pas nëntëdhjetës, piktura ime bëhet më e ndërgjegjshme, më e qartë nga kjo pikëpamje, që ka një problem brenda, nuk është e zhveshur. Nuk mund të ishte një artist jashtë kontekstit që përcillte koha mbas diktaturës, në një periudhë tjetër zhvillimi, me të tjera parametra. Në këtë kuptim them se është më bindëse si pjesë e krijimtarisë.
U desh kohë që të vinit te kjo koshienca tjetër, çfarë efekti pati thyerja e kohëve historike?
Ishte e shoqëruar me ankthin që ti ke humbur shumë vite dhe tashti duhet të bësh përpjekje që ta kapësh, ta kompensosh atë periudhë bosh. Duhej punë e madhe. Së pari në aspektin e informacionit, për të ditur se çfarë ndodh, jo vetëm nga librat dhe revistat, por duhej udhëtuar, duhej vajtur në vend. Shpesh herë ndodheshe para kurioziteteve që mund ti kishte një njeri që nuk kishte dalë jashtë shtetit dhe që do të shihte për herë të parë një vepër të një artisti klasik bie fjala, jo më pastaj të diskutonte mbi artin bashkëkohor. Nga kjo pikëpamje ishte një periudhë e ngjeshur pune, informacioni, leximi, kontaktesh dhe që në fund fare mund të përmblidhet me fjalën eksperimenti edhe brenda vetes.
Me çfarë eksperimentuat?
Ka qenë një rezultat i qëllimshëm për të parë pozicionin tim në aspektin qoftë të problematikave qoftë në atë formal, të zgjedhjes së mediumit. Ishte një periudhë kur u shfaqën me gjithë forcë mediumet e reja, videoja, instilacioni, performanca. Çdo medium jepte mundësitë e veta për të dalë në përfundime estetike interesante. Mirëpo unë vij nga një edukatë estetike që është ndoshta pak klasike dhe lidhej drejtpërdrejt me mediumin e pikturës, me një sërë shprehish të formuara vite me radhë brenda meje, të cilat nuk mund të mohoheshin menjëherë vetëm për hatër të faktit se duhej bërë ndryshe, se jemi në demokraci etj. Piktura duhej pasuruar ose duhej të shfaqej në mënyrë tjetër, sepse vetvetiu futja e konceptit, atashimi pranë këtyre problematikave që folëm deri tani, nuk mund të realizohej përmes një forme e cila e jepte rezultatin e vet mbi një tematikë tjetër të caktuar. E gjitha kjo ishte një punë me vetveten për të zënë vend gjërat, për ti futur në një raport të drejtë përmes një harmonie.
Stabiliteti kur vjen?
Them se vjen me punët e prezantuara në ekspozitën Komfort në GKA, e cila merrte në diskutim idenë e pasanikëve të rinj. Aty piktura ka shumë elemente të konceptit, kuptohet që kondicionin edhe formën.
<