Berisha: Reforma të tjera në arsim
Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies ka qenë sot tema kryesore e mbledhjes së qeverisë. Për këtë, mësuesit do të përfshihen në një proces reformimi dhe trajnimi për të mbajtur vendet e tyre të punës.
Sipas Berishës, rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe nivelit profesional të mësuesve do të jetë në qendër të reformës në arsim. Ai i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit hartimin e një plani veprimi për reformën në kualifikim e mësuesve.
Qeveria do të gjejë të gjitha mënyrat për të vendosur në krye të projekteve të saj cilësinë e degëve të mësuesisë. Ne këtë vit duhet të ndërmarrin të gjitha vendimet në mënyrë që degët e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë. Është e domosdoshme të përshtatim kriteret dhe format më suksesshme, të zbatojmë praktikat europiane në përgatitjen e mësuesve. Është e domosdoshme që rreth 40 mijë arsimtarë të vendit të kenë mundësinë për kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre. Nuk ka gjë më serioze në shoqëri sesa arsimi, tha Berisha.
Duke qëndruar te arsimi, Berisha u ndal te investimet, duke theksuar se arsimi ka qenë dhe do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së tij. Ndryshime të thella dhe rrënjësore janë bërë në sistemin arsimor. Janë bërë investime serioze që nga shtrirja e internetit në çdo shkollë dhe po ecin për të shtrirë internetin në çdo klasë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 60 për qind e shkollave ekzistuese të vendit. Ndryshime rrënjësore janë bërë edhe me pajisjen me bazën laboratorike në shkolla, por përsëri në politikën tonë mësuesi mbetet në qendër të përpjekjeve tona, tha Berisha. / G.N. / Redaksia online