Në botën paralele të Zija Çelës
Mbi romanin "SOS, një buzëqeshje"
Shkrimtarin Zija Çela, që nga fillimet e krijimtarisë së tij, e ka tërhequr deri në magjepsje një ëndërr: ta zgjojë dhe ta mbajë përfundimisht të zgjuar gjysmën e mirë të njeriut. Ylli i tij krijues, i ngjizur me këtë ngasje, është në kërkim të ethshëm të kësaj gjysme.
Tërë opusi i tij romanor, i veçantë dhe madhor, që nga Gjysma e Xhokondës, Gjaku i Dallëndyshes, Banketi i hijeve, Monedha e dashurisë etj., e sidomos me dy romanet e fundit, Las Varrezas dhe SOS, një buzëqeshje, gjakon këtë mrekulli që, në çdo variant dhe gjetje origjinale, shfaqet e ndalon diku.
Por gjithsesi për të ardhur rishtazi, dhe gjithnjë ndryshe, mbase me shpresën se kësaj here do ta bëjë edhe më të prekshme mrekullinë, do ta vendosë përfundimisht në një nga qytetet e tij metaforike (sa të tilla u bënë?), herë përmes dinoshave (Dinosha e paharrueshme te "Las Varrezas"), herë përmes jarikaçinarëve (Jari i paharrueshëm te romani "SOS").
Dhe po vetë, duke u rishfaqur sërish, e lë t'i "rrëshqasë" mrekullinë nëpërmjet fundeve të hapura të romaneve të tij, njësoj si në nisjet befasuese që ndërmerr.
Zija Çela është mjeshtër në trillin e variacioneve.
Në krahët e këtij vizioni të qëndrueshëm dhe gjithë larmi, strukturat narrative qëllimisht janë të shkrifëta, të tërheqin pa sforcime, të joshin drejt sferave me hapësirë sa realiste, aq dhe fantastike e të magjishme. Ja përse, në thurjen e mjedisve, të atmosferës, të ngjarjeve dhe të personazheve, Zija Çela shkëlqen.
As te SOS nuk vrapon pas shumë rrjedhave fabulare, nëpër shtigje që hapërdahen andej e këndej.
Pistat që ngërthen, autori i shtreson dhe i mbishtreson në zhvillim e sipër, i ndriçuar nga trilli i vet dhe duke dhënë dy faqet e medaljes, të mirën dhe të ligën, dashurinë dhe urrejtjen, bujarinë dhe grykësinë. Shkrimtari nxjerr në spikamë tërë shpirtin e personazheve, tërë botën e brendshme të qytetit (fiktiv) të Balbonës, si nga një minierë që s'ka të shterrur.
Në funksion të këtij misioni, narratori përdor shumë vegla arti, komponentë efikasë që i japin veprës fuqi shprehëse dhe shije të përkryer arti. Duke e parë mozaikun e tij nga një kuadër i tillë, nga ndërthurja tekstuale dhe intertekstuale, proza e Zija Çelës, jo vetëm në romanin SOS, ka shijen e prozës postmoderniste.
Ndërkaq, statusi dhe perspektiva e kësaj gjysme të ëndërruar të Zija Çelës, ashtu si në historinë e njerëzimit, na vjen përherë në përplasje dhe gjithnjë kërcënuese, thua se gjysmaterri do ta sundojë, krahas hapësirës shqiptare, tërë lëmshin tokësor.
Ngasja krijuese drejt realitetit fiktiv, paralel me realitetin objektiv, si dhe identifikimi me atë të ëndërruarin, kanë gërshetim të harmonishëm, krejt të veçantë në prozën e Çelës. Në botën paralele të autorit, lexuesi lëviz si nëpër një hapësirë në feksje të agimit, kur rrezet e dritës ende nuk e kanë shtrirë pushtetin e plotë mbi relievin e përthyer, që shfaqet e fshihet njëkohësisht.
Nëpër këtë tis të mjegullt lëvizin edhe personazhet e shumtë të prozës së tij, të tilla shfaqen rrugët, sheshet, vendbanimet, të tilla marrëdhëniet mes banorëve, e tillë e kaluara e tyre, e nesërmja dhe perspektiva.
Sepse në romanet e Zija Çelës, si një paradoks që bëhet krejt i pranueshëm për vetë individualitetin e shkrimtarit, mund të ndodhë që e nesërmja të jetë më e vjetër se e sotmja.
Por këtu është fjala për llojin e rrëfimit. Teksa lexon, të ngjan sikur ngrysesh dhe gdhihesh në shoqëri me njerëz gjithfarësh, të cilët shkrimtari i nxitë të shpalosin vetveten dhe të tjerët përreth, qoftë me gojën e tyre apo qoftë me hamendësimet e autorit.
Një lloj rrëfimi që kërkon përqëndrim maksimal për të mos tretur filli i imagjinatës autoriale, e cila prodhon lëndë tejet të bollshme në mjediset metaforike të Zija Çelës.
Është e pamundur, ndërkaq, që të mbahet ritmi i një tensioni të tillë, nëse imagjinata krijuese nuk ushqehet gjithashtu nga mjedisi real, ai konkret, frymëmarrjen e të cilit autori e njeh me themel.
Është pikërisht bota reale, përditshmëria që na rrethon, ajo që e nxit dhe e frymëzon artikulimin e botës paralele, brenda universit të së cilës lexuesi akomodohet natyrshëm. Në mbështetje të këtij ambienti, si një shëmbëllim i tij, artikulohet qyteti paralel, i cili herë gjallon në krahët e rrëfimit të drejtëpërdrejtë, realitetit ekzistencial, herë rrëfimit në stilin e magjishëm të përrallës, i pleksur me domethënie filozofike, frazeologji, urti popullore dhe ndriçime të fantazisë, që së toku arrijnë harmoni dhe origjinalitet të papërsëritshëm.
Ngulmueshëm, edhe në romanin e ri të Zija Çelës, bota paralele përballet me dukuritë e larmishme të së keqes, të cilat kanë një emërues të përbashkët: rrezikun për të shkallmuar vlerat e mirësisë dhe të vyrtyteve njerëzore.
Në hapësirën metaforike të Balbonës, në këtë qytet emblematik, përballë pozitivitetit harlisen me të madhe arroganca dhe agresiviteti, grykësia dhe injoranca, imoraliteti dhe smira, që e vrasin bukurinë shpirtërore. Me një fjalë, është e gjithë atmosfera e elektrizuar e kohës sonë, ku arti provon të ofrojë një rreze besimi përkundrejt humbjes së shpresës dhe disfatizmit.
"Zoti i ka krijuar bashkë Të Mirën dhe Të Keqen, prandaj asnjë njeri nuk është as krejt i mirë dhe as krejt i keq. Atëherë, pse të jetë ndryshe në Balbonën tuaj?!", do t'i thotë Engjëlli plakut shpirtmirë të qytetit, Asafit.
Fiksioni i Zija Çelës nuk ka për gjakim thjesht ta rrëfejë botën reale, por sidomos t'i kundërvihet asaj. Kapitulli i fundit i romanit SOS, kreu pa numër (Rudolf Budina mohon Rudi Bodinakun, etj.), e trazon sërish vëmendjen e lexuesit për të theksuar një fakt të rëndësishëm, faktin se arti, falë rebelimit fluturak, është ai që depërton thellë nëpër hapësira, sado të mjegullta të jenë, depërton në ato nivele që zor të arrihet me logjikën normale, atë që e quajmë logjikë e shëndoshë.
Edhe Las Varrezas, romani parardhës, ka gjetje po kaq impresive dhe origjinale. Shkrimtari krijon një atmosferë, kur mirësia dëshirohet me tërë qenien, e pikërisht atëherë edhe shfaqet.
Mirëpo, dalëngadalë, nis të gllabërohet nga e keqja dhe për njeriun ajo shndërrohet në maskë, sa për ta mbuluar ligësinë. Vdekja, enigma dhe misteri më i madh për njeriun, te Las Varrezas sprovohet dhe sfidohet nga të gjitha anët e mundshme, njësoj si hapja absolute e njeriut ndaj saj në regëtimat e fundit. Para sfidave të tilla sprovohet edhe buzëqeshja në romanin SOS.
Në rastin e parë është Dinosha, gruaja simbol e mirësisë, që bën mrekulli duke i kthyer nga buzëvarri të vdekshmit dhe duke rrezatuar energji pozitive mbi hapësirë. Në të dytin është Jari Kaçinari, djaloshi njëzet e tre vjeçar që, si një misionar dhe martir i mirësisë, shpërndan gëzim e shpresë mbi Balbonë.
Proza e Zija Çeles në përgjithësi është polifonike, prozë me gamë të gjerë, ku dëgjohen njëherësh shumë zëra, spikasin shumë tone e dallohen nuanca nga më të ndryshmet. Dhe jo vetëm si shtresim kuptimor, por edhe si përqasje me galerinë e madhe të personazheve që hyjnë, dalin e rikthehen nëpër skenat vijuese.
Madje, në të parë ndonjëri duket si i paftuar, por në fakt secili ka funksion, secili është i individualizuar, çdonjëri ka fatin e tij që mplekset njëkohësisht me fatin e të tjerëve, prandaj të gjithë bëhen të pazëvendësueshëm në thurjen tërësore të rrëfimit.
Romani i ri i Çelës është fryt i një imagjinate, që vë përballë të kundërtat, ato mbi të cilat qëndron kjo botë dhe që gjithmonë janë dy, janë çift: e keqja me të mirën, e bardha me të zezën, e moralshmja me të pamoralshmen, e bukura me të shëmtuarën, pra antagonizma rreth nesh dhe universalisht për njerëzimin.
Veçse pa lejuar që rrëfimi i tij të jetë bardhezi dhe dy ngjyrësh, por thurje ylberike e jetës, e tillë çfarë është vetë ajo. Pikërisht pse rrëfimi është i tillë, nga gobleni jetësor i Zija Çelës do të spikasë pohimi për të njerëzishmen dhe mohimi për jonjerëzoren.
Për këtë arsye, polifonia në prozën e tij të mundëson të njohësh dhe të përjetosh, ta ndjesh artistikisht binomin e të kundërtave te vetja dhe tek të tjerët, shkurt, në fenomenet dhe lëvizjet më të ndryshme që shfaq jeta.
Dy gjysmat e pranishme në botën humane, nëpërmjet vetë qenies sonë, vazhdojnë ta sfidojnë njëra-tjetrën që nga Kopshti i Edenit. Kjo kacafytje, së cilës nuk i shihet fundi, e ka trazuar qysh herët muzën krijuese të Zija Çelës.
Shkrimtari e sheh këtë përplasje në gjithë kompleksitetin që mbart, edhe si ndeshje të brendshme, edhe si ndeshje të jashtme të individit, si veprim dhe ndërveprim i pandërprerë mes njerëzve.
Në artikulimin artistik të kësaj bote në konflikt të përhershëm, ku pozitivi me negativin nuk ndahen si me thikë por japin e marrin ndërsjelltas, autori është njerëzor si me të parët, ashtu dhe me ata tek të cilët prin kahu i lig.
Ndëshkimi që u shqipton, disa herë rrjedh si një buzagaz ironik, shpesh me hidhësinë e sarkazmës, por gjithnjë pa cinizëm. Mbase, për të mos ua mbyllur derën përfundimisht.
Romani i ri shkon edhe një hap më tej: misionarin e mirësisë e vrasin. Autori, duke mos e shmangur dot këtë fund, fund që i dhemb deri në asht, do të kënaqet me fitoren shpirtërore të Jari Kaçinarit.
Në sajë të këtij superioriteti dritëdhënës, buzëqeshja në distancë, pra lajmi dhe mundësia që solli djaloshi për njeriun e sotëm, përfton hapësirat e qytetit dhe të gjithësisë. Por, vallë, jemi të pafuqishëm përballë botës tjetër, asaj materiale, përballë përditshmërisë së egër, Balbonës së vërtetë?!
Pikërisht ky mister, kjo ndjenjë dhembjeje dhe shqetësimi meditues, të përfshin në fund të romanit SOS, një buzëqeshje. Është çasti kur njeriu i vë gishtin tëmthit...
E megjithatë, dëshiroj të zbuloj një intimitet. Sado që tashmë lexoj ngadalë, kjo vepër më erdhi si përjetim dhe kënaqësi e rrallë, madje kur dilja nga shtëpia për punë, kthehesha me gëzimin se ende kisha për të lexuar nga romani i Zija Çelës.